Avokati i PDK-së në procedurat kushtetuese, Faton Fetahu, ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të votohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë.
Fetahu ka thënë se interpretimi i Kurtit lidhur me Rregulloren e Kuvendit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 9 janarit 2026 është, sipas tij, juridikisht i paqëndrueshëm.
Sipas tij, afati prej 72 orësh përcaktohet nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit dhe lidhet me procedurën e përshpejtuar, por kjo nuk është e vetmja mundësi procedurale.
Fetahu është thirrur në nenin 123 të Rregullores, i cili, sipas tij, i mundëson Kuvendit të shmangë afatet procedurale me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur se ndërmjet dy leximeve duhet të kalojnë domosdoshmërisht 72 orë në çdo rrethanë. Ky afat i përket nenit 85. Ndërkaq, neni 123 ekziston pikërisht për t’i mundësuar Kuvendit shmangien nga afatet procedurale, me kusht që të ruhet shqyrtimi efektiv parlamentar”, ka deklaruar Fetahu.
Ai ka kundërshtuar edhe mënyrën se si Kurti iu referua ligjeve të miratuara më 5 dhjetor 2024, për të cilat Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje procedurale.
Fetahu, i cili kishte qenë avokat i autorizuar i PDK-së në ato procedura kushtetuese, tha se Gjykata nuk i kishte shpallur ato ligje jokushtetuese thjesht për shkak të mosrespektimit të nenit 85, por për mënyrën se si ishte përdorur neni 123 për shmangien e afateve.
Sipas tij, në rastin aktual situata është ndryshe, pasi materialet e Projektligjit për Dhomat e Specializuara u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, ndërsa leximi i parë është zhvilluar më 5 tetor.
Fetahu argumenton se, nëse Kuvendi miraton shmangien nga afatet sipas nenit 123 dhe u jep deputetëve e komisioneve kohë reale për shqyrtimin e amendamenteve dhe përgatitjen e raportit, projektligji mund të votohet në lexim të dytë edhe sot.
“Projektligji mund të shqyrtohet në lexim të dytë edhe sot, nëse ekziston vullneti parlamentar për ta zbatuar nenin 123 në përputhje me standardin që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Fetahu.
Ai e ka cilësuar si të pabazuar analogjinë me ligjet e vitit 2024, duke argumentuar se në atë rast procedurat parlamentare ishin zhvilluar brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërsa në rastin aktual, sipas tij, deputetët kanë pasur kohë për ta shqyrtuar materialin.
