Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e kaluara.

Tri raste janë raportuar se kanë ndodhur në Gjakovë, dy në Prishtinë dhe nga një rast në Fushë-Kosovë, Ferizaj, Rahovec, Vushtrri e Zubin-Potok.

Në një rast në Gjakovë është raportuar se nëna është kërcënuar nga djali i saj.

Reklamë

“Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pranuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese nga djali i saj që ndodhet jashtë vendit. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është futur në kërkim të policisë. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në raportin policor.

Në një rast tjetër një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar vëllain e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se e kishte sulmuar fizikisht vëllain e tij. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa në rastin tjetër që është raportuar në Gjakovë thuhet se një burrë i ka shkaktuar dhunë psikike të dashurës së tij.

“Është raportuar se i dashuri i viktimës, i dyshuari mashkull kosovar, në mënyrë të vazhdueshme për shkaqe xhelozie është duke i shkaktuar dhunë psikike. Viktima me dëshirën e saj është kthyer te familja e saj, ndërsa i dyshuari nuk është takuar dhe gjendet në arrati. Është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Reklamë

Në njërin prej rasteve që është raportuar në Prishtinë ish-bashkëshorti i viktimës, i cili thuhet se jeton jashtë vendit, përmes rrjeteve sociale i ka dërguar asaj dhe familjarëve mesazhe me përmbajtje kërcënuese.

Viktima thuhet se ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është futur në kërkim të policisë. Lidhur me rastin është informuar prokurori.

Në rastin tjetër që është raportuar në Prishtinë i dyshuari, që thuhet se e ka sulmuar të dashurën e tij, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Reklamë

Në një rast të raportuar në Fushë-Kosovë thuhet se babai ka pësuar dhunë psikike nga i biri.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka pësuar dhunë psikike nga djali i tij. Në konsultim me prokurorin, rasti hetohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

Një rast është raportuar se ka ndodhur në Ferizaj, kur një grua është sulmuar fizikisht nga burri me të cilin ka qenë duke bashkëjetuar.

“Është raportuar se viktima femër kosovare, pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilinë është duke bashkëjetuar. I dyshuari nuk është takuar dhe gjendet në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.

Reklamë

Në Rahovec një burrë është arrestuar për shkak se e kishte sulmuar fizikisht babanë e tij.

“Palët kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë

Në Vushtrri një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. “I dyshuari është arrestuar dhe nga i njëjti janë sekuestruar dy pistoleta, një pushkë ajrore dhe 7 copë fishekë. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa në Zubin-Potok një grua përmes rrjeteve sociale, është fyer dhe kanosur nga ish-bashkëshorti i saj. “I dyshuari është arrestuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Reklamë