×
  • Lajme
  • Lajme

    Djali ishte në traktor kur dyshohet se u qëllua me kallash nga babai, krejt çka dihet për ngjarjen në Podujevë

    Reporteri
    14 Qershor 2022 | 7:34

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Peran të Podujevës.

    Atje, babai dyshohet se ka qëlluar për vdekje me kallash djalin e tij, shkruan Reporteri.net.

    Vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00. Nga Policia e Kosovës kanë thënë se kanë iniciuar tashmë një hetim për të sqaruar të gjitha rrethanat e vrasjes.

    “Rreth orës 18:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Peran të komunës së Podujevës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, bëhet e ditur se një person, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ana e mjekëve emergjent. Policia ka iniciuar një hetim me synim sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, u tha në përgjigjen e Policisë.

    Sipas raportimeve të mediave lokale, deri te vrasja erdhi për një pronë. Madje, edhe ngjarja tragjike siç shihet  në fotot e publikuara ka ndodhur në ara.

    Sipas këtyre raportimeve, babai e qëlloi djalin derisa i njëjti ishte duke punuar në ara me traktor.

    Raportohet se i dyshuari për vrasje dhe viktima kishin pasur probleme me njëri-tjetrin dhe raste në Polici, edhe më herët.

    Këto raportime s’janë konfirmuar ende zyrtarisht. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!