Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Gani Gecit, i cili dyshohet për veprën penale të kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë sot pasi gjyqtari i procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut që i pandehuri ta përsërisë veprën penale ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar.
Gjykata ka vlerësuar se rreziku është konkret, real dhe i bazuar në rrethanat e veçanta të rastit. Në këtë drejtim, janë marrë parasysh mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, përmbajtja dhe intensiteti i kërcënimeve, si dhe sjellja e të pandehurit pas ngjarjes.
Sipas Gjykatës, nëse Geci lihet i lirë pa masa të përshtatshme parandaluese, ai mund të tentojë ta kontaktojë sërish gazetarin Mehmetaj ose të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij përmes kanosjeve.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishin të mjaftueshme për ta parandaluar përsëritjen e veprës penale apo kryerjen e veprës me të cilën pretendohet se është kanosur i dëmtuari.
Gani Geci dyshohet për veprën penale të kanosjes, sipas nenit 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.