Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka mbrojtur ndryshimet ligjore që kufizojnë juridiksionin e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se Kosova ka të drejtë ta ndryshojë ligjin pa miratimin e Bashkimit Evropian.

Në emisionin “Debat Plus”, Gruda ka paraqitur dy argumente për nismën e PDK-së: deklaratën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe një vendim të vitit 2022 të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

Sipas tij, mungesa e miratimit nga BE-ja nuk përbën pengesë për vlefshmërinë e ndryshimeve ligjore, të cilat Kuvendi i Kosovës i miratoi më 7 tetor.

Reklamë

“Ne e dimë çka mendon BE-ja për këtë ligj, por ne e kemi dëgju presidenten e Komisionit Evropian duke thënë deklaratë publike që është e drejtë e Kosovës me ndërru ligjin, dhe e kemi ndërru. Mungesa e këtij kriteri nuk e rrëzon ligjin, sepse nuk është me marrë aprovimin e BE-së. Kjo sa i përket konsultimit”, ka deklaruar Gruda.

Deputeti i PDK-së iu referua qëndrimit të Von der Leyenit gjatë vizitës së saj në Prishtinë, më 1 tetor.

Presidentja e Komisionit Evropian kishte deklaruar se vendimi për ndryshimin ose jo të ligjit i takon Kosovës, duke theksuar njëkohësisht domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit.

Megjithatë, pas miratimit të ndryshimeve, më 8 tetor, Bashkimi Evropian doli me një qëndrim tjetër, më të prerë. Në deklaratën zyrtare të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm thuhet se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Brukseli kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Reklamë

Por argumenti tjetër i Grudës lidhet drejtpërdrejt me vendimmarrjen e vetë Gjykatës Speciale.

Ai argumentoi se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, në një vendim të vitit 2022, ka përcaktuar se juridiksioni i Speciales buron nga ligji i miratuar prej Kuvendit të Kosovës.

“Kosova ka të drejtë me ndërru ligjin, sepse kështu ka vendos edhe Dhoma Kushtetuese në Hagë. Dhoma Kushtetuese në Hagë ka përcaktuar që Kosova me ndërru ligjin”, ka thënë ai.

Gruda ka shpjeguar se bëhet fjalë për një kontest juridik të ngritur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Reklamë

“Dhe cili ka qenë konteksti? Mbrojtja e zotit Thaçi në vitin 2022 është anku në Hagë që Hashim Thaçi po akuzohet përtej pretendimeve për trafikim të organeve. Pra, po akuzohet edhe për krime lufte”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Çështja në fjalë ishte shqyrtuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e cila më 13 qershor 2022 nxori vendim mbi kërkesën referuese të Thaçit lidhur me juridiksionin e gjykatës.

Në thelb të kundërshtimit të mbrojtjes ishte pretendimi se akuzat kundër Thaçit shkonin përtej pretendimeve konkrete të raportit të Dick Martyt, mbi të cilin ishte mbështetur themelimi i Dhomave të Specializuara.

Gruda e përshkroi kështu përgjigjen që, sipas tij, kishte dhënë Dhoma Kushtetuese:

Reklamë

“Kur ka shku çështja në Hagë, në Dhomën Kushtetuese… Dhoma Kushtetuese thotë qartë, thotë: ‘Po, po e akuzojmë zotin Thaçi, sepse këtë juridiksion na ka dhënë ligji.’”

Më pas, ai citoi pjesën e vendimit që e konsideron përcaktuese për nismën e PDK-së.

“Dhoma gjithashtu pajtohet me përfundimet e arritura në Apel, se në qoftë se hartuesit e Ligjit, pra ne, Kuvendi i Kosovës, do të kishin synuar e DHS-së vetëm me pretendimet konkrete që përmban Raporti dhe jo në kontekstin dhe përfundimet e përgjithshme të tij, ata do ta kishin bërë atë shprehimisht me Ligj.”

Ky argument ka mbështetje në paragrafin 83 të vendimit të 13 qershorit 2022, ku Dhoma Kushtetuese pajtohet me përfundimin e Apelit se hartuesit e ligjit do ta kishin kufizuar shprehimisht juridiksionin e Speciales, po të kishin synuar që ai të përfshinte vetëm pretendimet konkrete të raportit të Martyt.

Reklamë

Në të njëjtin vendim, Dhoma Kushtetuese nuk konstatoi shkelje të së drejtës së Thaçit për t’u gjykuar nga një gjykatë e themeluar me ligj dhe e shpalli të papranueshme pjesën përkatëse të ankesës.

Pikërisht interpretimin e atij paragrafi Gruda e ka përdorur për të arsyetuar vendimin e PDK-së që, përmes ndryshimit të ligjit, të kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara.