×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Kosova voton

    Hapen qendrat e votimeve, KQZ: Ruajeni integritetin e votës, raportojeni çdo parregullsi

    Reporteri
    12 Tetor 2025 | 7:59

    Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur zyrtarisht, me rastin e zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi  tha se qendrat e votimit janë hapur në kohë dhe ka ftuar qytetarët të dalin në votim për të shprehur vullnetin e tyre të lirë.

    Ndërkaq, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i votimit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës ka nisur me kohë dhe në mënyrë të rregullt, me përjashtim të ndonjë qendre të vetme ku janë raportuar vonesa të vogla.

    “Sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta për votimin e zakonshëm me 2,571 vendvotime, ndërkaq 38 qendra të tjera, nga një në secilën komunë, me 54 vendvotime, janë hapur për të mundësuar votimin me kusht,” ka deklaruar Elezi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprakisht, duke shpërndarë materialin zgjedhor dhe duke u siguruar se çdo gjë është në rregull.

    Të drejt vote në këto zgjedhje lokale kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 shtetas të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

    910 qendra të votimit të rregullt janë në dispozicion për të gjithë qytetarët, teksa 38 sosh janë për votim me kusht.

    Votuesit do të shërbehen me dy fletëvotime: njëra për të zgjedhur kandidatin për kryetar të komunës dhe tjetra për të zgjedhur kandidatin për Kuvend Komunal.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të raportojnë çdo parregullsi që vërejnë në vendvotime.

    “Ruaj integritetin e votës – raporto çdo parregullësi që vëren në vendvotim! Çdo shkelje është vepër penale”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!