Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe lirinë e vendit.
Haradinaj tha se siguria kombëtare e Kosovës mbështetet në vlerat e lirisë dhe në lidhjen e UÇK-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Sipas tij, mbështetja për UÇK-në duhet të jetë e vazhdueshme dhe jo vetëm në rastet kur, siç u shpreh, rrezikohet ajo ose themelet e lirisë së Kosovës.
“Siguria jonë kombëtare buron nga vlerat e lirisë, nga UÇK-ja, e cila është e lidhur ngushtë me Amerikën dhe NATO-n. Pak a shumë ky është filli, deri te liria. Ne, në vazhdimësi, pra jo vetëm kur rrezikohet UÇK-ja, ose themelet e lirisë, por ne në vazhdimësi duhet të jemi mbrojtje të UÇK-së. Jo për shkak të atyre që janë gjallë sot, ose që kanë qenë dikur në udhëheqje të UÇK-së, por për shkak të vetë sigurisë sonë kombëtare”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se rrezikimi i UÇK-së, qoftë nga faktorë të jashtëm apo nga gabimet e brendshme, paraqet, sipas tij, rrezik për sigurinë kombëtare dhe lirinë e vendit.
“Kur rrezikohet UÇK-ja, qoftë nga armiqtë e jashtëm, apo nga gabimet tona, ta dini që rrezikojmë sigurinë kombëtare, pra lirinë tonë”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se duhet të mbështetet çdo angazhim që kontribuon në mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të lirisë së Kosovës.