×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Haxhiu thotë se mund t’i drejtohet Kushtetueses rreth mandatit të saj nëse vendi s’ka president

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 15:27

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar si më të rëndësishme zgjedhjen e presidentit sesa plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen të propozuar nga PDK-ja, teksa ka shtuar se ajo beson se Bekim Sejdiu do të rikthehej në garë sikur të ketë garanci për votat e nevojshme.

    Haxhiu tha se presidenti ka më shumë rëndësi pasi sipas saj, vetëm atëherë do të mund ta trajtojnë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen dhe të adresohet kërkesa e kuvendit për një strategji të përbashkët mbrojtëse për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

    “Unë kam përcjell disa qëndrime të PDK-së, natyrisht që s’janë gjithmonë të njëjta, ndërrojnë nga dita në ditë, nga përfaqësuesi në përfaqësues, pra nuk ka një konsistencë në qëndrimet e tyre. Për sa i përket deklaratës së (Bedri) Hamzës, meqë është kryetar i partisë, po e marr si të mirëqenë. Unë s’jam që të bëhen pazare për këtë çështje. Mendoj që të gjithë, me përgjegjësinë më të lartë që e kemi, duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin sesa ta votojmë ligjin, sepse nëse zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, ta adresojmë kërkesën e Kuvendit për një strategji të përbashkët dhe për bindjen time, më e qëlluar është një strategji e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe të përgatitemi dhe të jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit sesa të procedojmë nisma që edhe ata vetë e dinë se mund të mos çojnë askund”, tha Haxhiu.

    Haxhiu tha se edhe vetë ish-krerët e UÇK-së nuk do ta ndjenin se e kanë mbështetjen e shtetit nëse vendi do të shkonte me vetëdije të plotë në zgjedhje të parakohshme.

    “Prandaj, prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vet Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi nuk mendoj se do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit nëse ne me vetëdije e çojmë vendin në zgjedhje. Edhe pas zgjedhjeve, situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash, pse duhet për të dytën herë të na çojë në zgjedhje çështja e presidentit? Prandaj, unë i ftoj edhe sot partitë politike, situatën e kemi të tillë që duhet të ketë vëmendje të plotë, përgjegjësi të lartë dhe konstruktivitet, në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e parakohshme. Le t’i lënë kalkulimet, le ta lënë qasjen që ata e konsiderojnë që nëse shkojmë në zgjedhje dobësohet VV-ja, kjo natyrisht nuk do të ndodhë”, tha ajo.

    Për sa i përket emrit për president, Haxhiu tha se vazhdon të jetë ai i dalë nga marrëveshja VV-LDK, Bekim Sejdiu, pavarësisht se ky i fundit është tërhequr nga kjo kandidaturë.

    Sipas saj, Bekim Sejdiu do të rikthehej në garë nëse do të ketë garanci se në seancën për zgjedhjen e presidentit do të jenë të sigurta votat e nevojshme.

    “Sa i përket kandidatit për president, ai është Bekim Sejdiu. Është tërhequr nga gara, sepse s’e ka pasur mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Ne s’jemi tërhequr nga marrëveshje, dhe jam e bindur se nëse ka deklarim se do të qëndrojnë në sallë, jam e bindur se Sejdiu do të rikthehet. Unë mendoj që ka garanci, se janë 2/3 në Kuvend mendoj që ai do të rikthehet. Kam vlerësuar që ai të jetë kandidat i përbashkët i LDK-së dhe VV-së. E çmoj integritetin e lart profesional dhe moral të Sejdiut, prandaj e kam konsideruar se një figurë e tillë është pikërisht për këtë pozicion. Megjithatë çështjen e negociatave e drejton kreu i VV-së, (Albin) Kurti dhe nga këto takime mund të dalin çështje që janë të rëndësishme dhe për të mos e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Gabimi më i madh do të ishte që ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme”, tha Haxhiu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!