Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fehim Salit, mësimdhënësit nga Dragashi, i dyshuar për spiunazh në shërbim të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë (BIA).

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Onëine Reporteri.net zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se kërkesa e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e paraburgimit është aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.S., gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të kërkesës, përmes aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh. Rrjedhimisht, i pandehuri F.S. vazhdon të jetë nën masën e paraburgimit”, ka deklaruar Gashi.

Reklamë

Sali ndodhet në paraburgim që nga 14 gushti 2026, kur Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar fillimisht këtë masë për një muaj. Në shtator, paraburgimi i ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se kishte vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë, BIA, duke ofruar informacione për situatën politike në Kosovë dhe duke identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Prokuroria pretendon se ai kishte përdorur katër numra të ndryshëm telefoni për të komunikuar me zyrtarë të BIA-s. Gjatë bastisjes në pronat e tij, hetuesit kishin gjetur katër telefona, të cilët, sipas dosjes, pritej të ekzaminoheshin.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet gjithashtu se gjatë hetimeve ishin kontrolluar hyrjet dhe daljet e të dyshuarit në pikat kufitare, ndërsa 40 mijë eurot e sekuestruara në pronësi të tij dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria e pretenduar e spiunazhit.

Sipas Prokurorisë, Sali kishte përshkruar në mënyrë të detajuar veprimet e tij dhe takimet me zyrtarë të BIA-s. Ai dyshohet se kishte fotografuar zyrtarë të AKI-së me qëllim të identifikimit të tyre, si dhe kishte ofruar informacione për situatën politike dhe për persona të tjerë në Kosovë.

Reklamë

Dosja përmend edhe pretendimet se ai kishte dhënë informacione për persona të cilët i përkisnin sektit vehabi, duke i propozuar ata te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë Speciale, Sali kishte ndërmjetësuar për çështje dhe dokumente që lidhen me institucionet e Serbisë dhe kishte mbajtur kontakte me persona me ndikim politik e shoqëror në Kosovë dhe Serbi, të cilëve dyshohet se u kishte ofruar udhëzime për veprim politik.

Prokuroria pretendon se të gjitha këto veprime ishin kryer me qëllim të mbledhjes dhe përcjelljes së informatave me interes për BIA-n dhe se kishin cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Fehim Sali, i cili sipas dosjes ka shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë, është arrestuar më 13 gusht 2026 në pikën kufitare në Merdare, me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Reklamë