×
  • Lajme
  • Lajme / Raportet SHBA-Kosovë

    “Izolim” për Kryeministrin? Kurti nuk u ftua në asnjë ngjarje ku ishte prezente ndihmës-administratorja e USAID-it

    Autor:Blendi Gashi
    06 Mars 2024 | 11:32

    Vizita në Prishtinë e Ndihmësadministratores së USAID-it, Erin E. McKee, ka shpërfaqur edhe një herë “telashet” mes Administratës amerikane me Kryeministrin e Kosovës. Albin Kurti nuk u ftua në asnjë ngjarje ku zyrtarja e lartë amerikane ishte prezente, sikurse në agjendën e saj, McKee, gjatë qëndrimit në Kosovë nuk e kishte paraparë as ndonjë takim me shefin e ekzekutivit kosovar, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee ka qëndruar gjatë dy ditëve për vizitë në Kosovë.

    Ajo ka pasur disa aktivitete në Kosovë, teksa dje është është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas së cilit kanë pasur edhe një adresim para mediave.

    Në aktivitetet që në dy ditët e fundit ka pasur në Kosovë zyrtarja e lartë amerikane, e cila përpara se t’i bashkohej Byrosë për Evropën dhe Euroazinë, përgjatë karrierës ka mbajtur poste të rëndësishme duke shërbyer edhe si ambasadore amerikane, në asnjërin prej tyre nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Kurti dhe as nuk ka pasur  në agjendën e saj ndonjë takim me kreun e Qeverisë së Kosovës. Kjo pasi kryeministri Kurti nuk është ftuar në asnjë prej ngjarjeve ku ka qenë prezente ishte ndihmësadimistratorja e USAID-it, merr vesh gazeta online Reporteri.net, përmes një burimi të besueshëm.

    Mbrëmjen e së hënës, pak orë pas aterimit në Prishtinë, McKee është pritur nga Ambasadori Jeffrey Hovenier dhe mbi 25 gra të suksesshme kosovare, në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë. Pamjet zyrtare të publikuara nga brenda ngjarjes tregojnë se as aty nuk ka qenë prezent kryeministri Kurti.

    Se diçka nuk po shkon mirë mes Qeverisë së Kosovës dhe Departamentit amerikan të Shtetit, McKee përveç duke e “injoruar” Kryeministrin Albin Kurti gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, e bëri të qartë edhe pas takimit me shefen e shtetit, Presidenten Vjosa Osmani. Megjithatë, ajo shtoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve me “qeveri të caktuara”, përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur.

    “Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri të caktuara, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka thënë McKee para gazetarëve.

    Gazeta online Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë së Kosovës për të marrë versionin e tyre të arsyes që Kryeministri Kurti nuk është takuar me ambasadoren McKee dhe as nuk është parë prezent në asnjë nga aktivitetet e saj në Kosovë, por deri në momentin e publikimit të shkrimit, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    E në ditë kur zyrtarja e lartë amerikane, në Prishtinë foli për “mosmarrëveshjet dhe sfidat me qeveri të caktuara” mes SHBA-së dhe Kosovës, Kryeministri Albin Kurti në një paraqitje para gazetarëve “siguroi” se Qeveria e tij nuk është duke i prishur marrëdhëniet me aleatët e vendit.

    Shefi i ekzekutivit kosovar, dje u përgjigj shkurt në pyetjen e gazetarëve se a i ka prishur qeveria e tij marrëdhëniet me aleatët, duke thënë se kjo “nuk është e vërtetë”, dhe duke mos komentuar tutje.

    Zyrtarë të lartë amerikanë në ditët e fundit, kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

    Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.  Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, javë më parë ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

    “Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.

    Kurti thotë se nuk është e vërtetë që Qeveria e tij është duke i prishur marrëdhëniet me aleatët

    Në linjë me këtë deklaratë të O’Brien, foli pak ditë më pas edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, duke iu përgjigjur edhe Qeverisë Kurti të cilët deklaruan se nuk ka rrezik për krisje të partneritetit me ShBA-në.

    Hovenier theksoi sërish se kjo situatë ka prekur partneritetin e ShBA-së me Kosovën, duke përgënjeshtruar kështu Kurtin dhe vartësit e tij në Qeveri, që pas intervistës së bujshme të O’Brien.

    “O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, tha ambasadori amerikan.

    Pavarësisht të gjithave, Erin McKee, në takimin me Osmanin siguroi se USAID’i do të vazhdojë t’i dalë në ndihmë Kosovës.

    “E ardhmja e Kosovës është brenda Evropës. Sekretari Blinken kohët e fundit përsëriti se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është i drejtë dhe rruga e vetme përpara për Kosovën për të avancuar integrimin e saj me institucionet evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi bërë në 25 vitet e fundit, USAID-i do të qëndrojë i palëkundur në partneritet me Kosovën për të siguruar që momenti drejt kësaj të ardhme të mos lëkundet, por të përshpejtohet dhe përfundimisht të vazhdojë”, ka deklaruar McKee në Prishtinë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!