Kompania që më 6 tetor siguroi me negocim kontratën për furnizim me pelet në Podujevë, me çmim prej 520 eurosh për ton, në Graçanicë ka ofertuar 380 euro për ton në konsorcium me një kompani tjetër.

Partneri i saj është pikërisht Evergreen Timber, kompania që, sipas raportimeve ishte tërhequr nga kontrata e mëparshme për pelet në Podujevë, duke e arsyetuar këtë me rritjen e çmimeve.

Kështu, DnA Core L.L.C., furnizuesi i ri i Podujevës, dhe Evergreen Timber SH.P.K., pjesë e konsorciumit të mëparshëm furnizues të kësaj komune, janë bërë bashkë në një procedurë të hapur në Graçanicë. Çmimi i ofruar për pelet është 140 euro më i ulët për ton, apo rreth 27 për qind më lirë se ai i kontraktuar në Podujevë, shkruan portali “Kujdestari“.

Reklamë

Megjithatë, në Graçanicë ende nuk ka kontratë të nënshkruar. Konsorciumi është rekomanduar për kontratë, ndërsa procedura është në ankesa.

Në Graçanicë shtatë oferta, në Podujevë vetëm një

Sipas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues, të datës 7 tetor 2026, Komuna e Graçanicës ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë Evergreen Timber SH.P.K. dhe DnA Core L.L.C., me ofertë të përgjithshme prej 72.800 eurosh për furnizim me dru dhe pelet.

Në tabelën e çmimeve të shqyrtuar nga mediumi, furnizimi me 130 tonë pelet është llogaritur me 380 euro për ton me TVSH, përkatësisht 49.400 euro. Pjesa tjetër e ofertës përfshin 450 metra hapësinorë dru, me çmim prej 52 eurosh për njësi dhe vlerë prej 23.400 eurosh.

Në këtë procedurë figurojnë shtatë oferta. Konsorciumi Evergreen Timber–DnA Core është rekomanduar për kontratë, ndonëse në listë ka edhe oferta me vlerë të përgjithshme më të ulët. Vetëm kjo listë nuk i tregon arsyet e vlerësimit apo të eliminimit të ofertuesve të tjerë.

Reklamë

Procedura e Graçanicës është zhvilluar përmes tenderimit të hapur. Në Podujevë, kontrata me DnA Core është lidhur përmes procedurës së negociuar, me vetëm një ofertë të pranuar.

Dy çmime të ndryshme në dy procedura të së njëjtës periudhë

Mediumi “Front Online” raportoi se më 6 tetor 2026, Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, nënshkroi me DnA Core kontratë gjashtëmujore për furnizim me pelet. Marrëveshja ka vlerë indikative prej 312 mijë eurosh dhe sasi të parashikuar prej 600 tonësh, me çmim 520 euro për ton me TVSH.

Pak më vonë, në Graçanicë u publikua vendimi që rekomandonte konsorciumin ku merr pjesë e njëjta kompani, me çmim prej 380 eurosh për ton pelet.

Reklamë

Për 130 tonë, sa janë paraparë në Graçanicë, diferenca ndërmjet dy çmimeve arrin në 18.200 euro. Nëse çmimi prej 380 eurosh do të zbatohej mbi sasinë indikative prej 600 tonësh të Podujevës, vlera do të ishte 228 mijë euro, apo 84 mijë euro më pak se marrëveshja e negociuar.

Evergreen u tërhoq në Podujevë, por ofertoi me furnizuesin e ri në Graçanicë

Lidhja mes dy procedurave bëhet edhe më domethënëse për shkak të historikut të Evergreen Timber në Podujevë.

Sipas raportimeve, më 12 shtator 2025, Podujeva kishte nënshkruar kontratë kornizë 36-mujore me konsorciumin Evergreen Timber SH.P.K. dhe Marigona AU SH.P.K. Për sasinë indikative prej 1.300 tonësh, çmimi ishte 203 euro për ton me TVSH, ndërsa vlera e përgjithshme indikative 263.900 euro.

Kontrata ishte paraparë të zgjaste deri në shtator të vitit 2028. Por pronari i Evergreen Timber, Blerim Vitija, i kishte deklaruar “Kiks Kosovës” se ishin tërhequr që në pranverë, për shkak të rritjes së çmimit të peletit pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Reklamë

Pas kësaj, Podujeva lidhi marrëveshjen e re me DnA Core, me çmim prej 520 eurosh për ton. Ndërkohë, në Graçanicë, Evergreen Timber dhe DnA Core u paraqitën së bashku me ofertën prej 380 eurosh për ton.

Pra, kompania që ishte tërhequr nga furnizimi në Podujevë dhe kompania që e mori më pas furnizimin në këtë komunë, në Graçanicë janë partnere në një ofertë dukshëm më të lirë.

Dokumenti i 7 tetorit është njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues dhe nuk dëshmon nënshkrimin e kontratës.

Në dosjen elektronike të tenderit figurojnë edhe dokumente të datës 12 tetor për pezullimin e aktivitetit dhe një vendim lidhur me kërkesën për rishqyrtim të kompanisë BEDI COM.

Reklamë