×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Njoftimi

    Konfirmohet rasti i parë i sëmundjes Lija e Deleve-Dhive në Kosovë

    Reporteri
    15 Prill 2026 | 11:51

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar rastin e parë të sëmundjes Lija e Deleve/Dhive në Kosovë, në fshatin Sazli të Komunës së Ferizajt, pas analizave laboratorike të kryera në mostrat e marra në terren, shkruan Reporteri.net.

    Si masë parandaluese, janë vendosur kufizime të lëvizjes së deleve dhe dhive, ndalim i tregtimit dhe shitblerjes, si dhe izolim i plotë i fermave ku është konfirmuar sëmundja, në përputhje me Ligjin për Veterinarinë.

    AUV ka bërë të ditur se masat do të zbatohen në rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit, ndërsa fermat janë të obliguara të forcojnë biosigurinë, të raportojnë rastet dhe të lejohet lëvizja vetëm drejt thertoreve të licencuara me leje të inspektorit veterinar.

    Komunikata e plotë:

    Është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/GoatPox) në Kosovë

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton opinionin publik se është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes Lija e Delve/Dhive (Sheep Pox/GoatPox), në fshatin Sazli, Komuna e Ferizajt. Pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, në mostrat e testuar në Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes Lija e Dhenve në një fermë të deleve në këtë fshat.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot me datë 15.04.2026 vendos masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/GoatPox) në Kosovë, Bazuar në Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë.

    Masat zbatohen në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit ( varësisht nga situata masat mund të ndryshojnë)

    I. Masat e përgjithshme:

    a) Ndalohet lëvizja e kafshëve Dele, Dhi nga fermat, tregtimi në tregje dhe shitblerja;

    b) Fermat në të cilat konfirmohet prezenca e sëmundjes, vendosen ne masë izolimi/karantine të plot. U ndalohet çdo lëvizje hyrje dalje.

    c) Obligohen fermerët mbajtës të Deleve dhe Dhive, për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve, menjëherë të njoftojnë veterinarin. Praktikat veterinare janë të obliguar të zbatojnë protokollet shëndetësore veterinare për parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundje

    d) Fermerët mbajtës të Deleve, Dhive të aktivizojnë masat e biosigurisë ne fermat e tyre.

    e) Të përcaktohen lokacionet për Groposjen e kafshëve të ngordhura nga Komunat;

    f) AUV vazhdon me hulumtimin epidemiologjik, marrjen e mostrave dhe kryerjen e testimeve laboratorike;

    II. Përjashtimisht nga pika I e këtij vendimi, lejohet lëvizja kafshëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje deri në thertore të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

    III. Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë punën për tregtimin e kafshëve të imta Dele Dhi.

    IV. Obligohen, Policia e Kosovës, organet Komunale në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave.

    V. Masat hynë në fuqi sot datë 15.04.2026

    Çfarë është sëmundja Lija e deleve/dhive?

    Lija e dhenve (e njohur edhe si sheeppox/goatpox) është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo shkaktohet nga një virus i familjes Capripoxvirus dhe është ndër sëmundjet më të rënda për këto specie, me pasoja të mëdha ekonomike.

    Simptomat?

    • Temperaturë e lartë (40–42°C)

    • Humbje oreksi dhe plogështi

    • Rrjedhje nga hunda dhe sytë

    • Lezione (puçrra, plagë) në lëkurë, sidomos në kokë, veshë, bark dhe rreth organeve gjenitale

    • Vështirësi në frymëmarrje (nëse prek mushkëritë)

    • Në disa raste: diarre dhe dobësim i përgjithshëm

    Si transmetohet?

    • Kontakt i drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara

    • Sekrecione (pështymë, rrjedhje nga hunda)

    • Përmes mjedisit të kontaminuar (stallat, mjetet, transporti)

    Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë: nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!