×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    KQZ: Deri më tani 851 qytetarë kanë ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës

    Reporteri
    19 Korrik 2025 | 12:13

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha për verifikimin dhe ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale.

    Sipas KQZ-së, kjo periudhë ka nisur më 28 qershor dhe do të zgjasë deri më 29 gusht 2025.

    Deri më 18 korrik, janë gjithsej 851 qytetarë që kanë ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit brenda komunës ku janë të regjistruar.

    “Ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda të njëjtës komunë është në vullnetin e votuesit, kur ai e sheh të arsyeshme, për të zgjedhur një qendër sa më afër vendbanimit. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët me të drejtë vote mund ta verifikojnë apo ndryshojnë Qendrën e Votimit, përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org, ose duke dorëzuar kërkesë pranë Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, KQZ bën të ditur se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejt nga ky institucion. Ky ndryshim është i lidhur me deklarimin zyrtar të adresës së banimit nga qytetari.

    “Për të kaluar në një Qendër Votimi të një komune tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën e tij përmes Zyrës së Gjendjes Civile ose platformës E-Kosova. Pas konfirmimit të adresës së re nga Shërbimi i Gjendjes Civile, ajo reflektohet automatikisht në Regjistrin Qendror Civil”, thotë KQZ.

    Të gjitha ndryshimet e adresës së banimit të realizuara deri më 29 gusht 2025 do të pasqyrohen në platformën e KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org, si dhe në Listën Votuese për zgjedhjet e ardhshme. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!