Kuvendi i Kosovës ia ka përcjellë sot Presidencës Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa presidentja Justina Shiroka-Pula do të ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net,  Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

“Kuvendi i Kosovës sot e ka përcjellë Ligjin për Dhoma të Specializuara në Presidencë. Presidentja Shiroka Pula do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.”, tha  Kupina.

Reklamë

Sipas Kushtetutës, tani Presidentja ka në dispozicion 8 ditë afat për ta dekretuar atë para se i njëjti të hyjë në fuqi.

Kuvendi i Kosovës i miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ndryshimet u miratuan pas dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hahsim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, më 16 shtator, me gjithsej 81 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar synon ta kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara në vepra të caktuara që lidhen me pretendimet për trafikim të organeve, si dhe vrasje të paligjshme, torturë dhe trajtim mizor ose çnjerëzor në rrethana të përcaktuara në tekstin e tij.

Ndër ndryshimet kryesore është kufizimi i juridiksionit kohor dhe lëndor të gjykatës, si dhe parashikimi që procedurat që nuk përfshihen në juridiksionin e ri të kalojnë te institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Reklamë

Projektligji parasheh gjithashtu transferimin në Kosovë të personave të paraburgosur që nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, si dhe një kufi maksimal prej 15 vjetësh burgim për dënimet e shqiptuara nga kjo gjykatë. Po ashtu, parashihet mundësia e faljes individuale nga presidenti për personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë, shkruan Reporteri.net.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kanë nxitur reagime nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Bashkimi Evropian është shprehur “thellësisht i shqetësuar”, duke vlerësuar se ndryshimet janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Brukseli i ka bërë thirrje vendit që të respektojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe zotimin për të garantuar llogaridhënie e drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

Edhe Gjermania ka shprehur mbështetje për qëndrimin e BE-së. Ambasada gjermane në Prishtinë ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar në bazë të ligjit të Kosovës dhe i mbështetur në Kushtetutë, duke nënvizuar se pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht. /Reporteri.net/