×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Çështja e Presidentit

    Kurti e Abdixhiku takohen sërish, kësaj here “fshehurazi” në zyrën e Vjosa Osmanit

    Reporteri
    02 Shtator 2026 | 16:26

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po zhvillojnë sërish takim mes tyre, kësaj here në zyrën e ish-presidentes Vjosa Osmani, që ka nisur në ora 16:00, merr vesh Gazeta Online Reporteri.net.

    Ndryshe nga takimet e mëparshme mes dy liderëve, të cilat u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Kosovës, siç merr vesh gazeta Online Reporteri.net, takimi i sotëm po mbahet në zyrën e Osmanit në Presidencë.

    Takimi vjen një ditë pasi marrëveshja e arritur mes LVV-së dhe LDK-së për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president u vu në pikëpyetje, pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së.

    Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Kujtim Shala kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun për president. Qëndrimi i tyre shkaktoi përplasje të reja politike brenda LDK-së dhe rrezikon zbatimin e dakordimit të arritur mes dy partive.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje tha se kundërshtimi i gjashtë deputetëve e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa Kurti deklaroi se marrëveshja politike me LDK-në për kandidaturën e Sejdiut mbetet valide.

    Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Kurti kishte paralajmëruar pikërisht një takim të ri me Abdixhikun, duke thënë se situata politike kishte ndryshuar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

    “Duhet të ritakohem me Abdixhikun edhe me kryesinë e LVV-së sepse situata ka ndryshuar krahasuar me takimin që kishim kur kishim 80 deputetë”, kishte deklaruar Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!