Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të takohet sot me kryeministrin Albin Kurti, ku në fokus pritet të jetë edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se takimi mes Hamzës dhe Kurtit pritet të zhvillohet sot në orën 16:30.

Sipas këtyre burimeve, Hamza do të kërkojë sërish përgjigje nga Kurti lidhur me qëndrimin e Qeverisë për projektligjin për Specialen.

Reklamë

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria pritet që brenda kësaj jave ta procedojë në Kuvend opinionin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Pas kryeministrit Kurti, Qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, i ka 30 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se, bazuar në komunikimet e deritanishme, Qeveria po bën përpjekje që opinioni t’i dërgohet Kuvendit brenda kësaj jave.

“Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, pas procedimit të opinionit do të hapet rruga për trajtimin e nismës në komisionet përkatëse parlamentare.

Reklamë

“Dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për Legjislacion dhe komisionet tjera”, ka deklaruar Haxhiu.

Aktualisht, Qeveria është në pritje të një opinioni ligjor nga Ministria e Drejtësisë lidhur me ndryshimet e propozuara. Krahas kësaj, Kurti dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur edhe konsultimet me ekipet e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ndërkohë, Kurti sot nuk ka folur për projektligjin për Specialen. Ai ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Kurti ka thënë se kjo fundjavë do të jetë vendimtare dhe se synimi është që javën e ardhshme Kosova ta ketë presidentin e ri.

Reklamë

“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje që javën e ardhshme të kemi president”, ka deklaruar Kurti.