Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, ka kërkuar rikthimin e zotimeve të Samitit të Londrës të vitit 2018 për drejtësinë lidhur me krimet e luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Kurti ka rikujtuar se mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta në Kosovë, ndërsa ka përmendur edhe zhvarrosjen e 23 trupave të shqiptarëve në komunën e Zubin Potokut, të cilët, sipas tij, janë vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999.

“Në të njëjtën kohë, shpresoj që të mund t’i rikthejmë zotimet nga Samiti i Londrës i vitit 2018 lidhur me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe për gjetjen e personave të zhdukur. Në vendin tim janë mbi 1.500 persona të zhdukur dhe së fundmi, në komunën veriore të Zubin Potokut, kemi zhvarrosur 23 trupa të shqiptarëve që janë vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999”, ka thënë Kurti.

Reklamë

Duke folur para mediave në margjinat e samitit, Kurti është shprehur optimist për të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Jemi optimistë për kohët që na presin, sepse bashkëpunojmë dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar, duke u mbështetur në vlerat e Bashkimit Evropian, duke ia mbyllur derën Kremlinit dhe, në të njëjtën kohë, duke u përqendruar te rinia, punësimi dhe sundimi i ligjit”, ka deklaruar ai.

Gjatë samitit, Kurti ka kërkuar gjithashtu që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.