Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka komentuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në seancën e djeshme të Kuvendit.

Hamza ka thënë se Kuvendi dhe deputetët e kanë përmbushur përgjegjësinë e tyre ligjvënëse, ndërsa ka vlerësuar se ligji është miratuar në mënyrë të rregullt dhe procedurale.

“Kuvendi e ka kry punën e vet, deputetët e kanë kry punën e vet. Një prej detyrave dhe përgjegjësive kryesore të Kuvendit është me aprovu ligje. Kuvendi aprovon ligje, ndërsa ata të cilët janë të detyruar me i zbatu, duhet me i zbatu ligjet”, ka thënë Hamza.

Reklamë

Ai ka theksuar se, sipas vlerësimit të PDK-së, procedura e miratimit të ligjit ka qenë e rregullt.

“Ne konsiderojmë që Kuvendi e ka aprovu ligjin në mënyrë të rregullt, procedurale dhe kam thënë që ligji është i zbatueshëm për të gjithë”, ka deklaruar Hamza.

Hamza ka thënë se Kuvendi, në kuadër të kompetencave të tij, mund të ndërmarrë edhe ndryshime kushtetuese apo të marrë vendime lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare.

“Në të kundërtën, Kuvendi ka të drejtë edhe me ndërru Kushtetutën, edhe me i shfuqizu marrëveshjet ndërkombëtare, edhe me bë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Hamza.

Hamza ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentes. Sipas tij, Presidentja e Republikës së Kosovës duhet ta ushtrojë rolin e saj brenda përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ndërsa partitë politike duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre

Reklamë

Hamza ka theksuar se Presidentja ka rol unifikues, ndërsa partitë në pushtet dhe opozitë kanë detyra të ndryshme politike.

“Jo, mendoj që presidentja lun rolin e vet brenda përgjegjësive kushtetuese edhe ligjore, rolin e vet unifikues, ndërsa partitë politike i kanë punët e veta. Ata që janë në pozitë, qeveria duhet me kry punë, ne që jemi në opozitë duhet me dhanë alternativa, po edhe me i kritiku normalisht dhe me i thënë që ky vend s’po shkon mbarë. Po do të thotë që kemi edhe kritika”, tha ai.

I pyetur nëse PDK ka biseduar me Presidenten Justina Shiroka-Pula para se ajo ta pranonte postin, Hamza tha se ai nuk ka pasur komunikime me të, por edhe emri i saj nuk ishte diskutuar zyrtarisht brenda partisë.

“Nuk kemi pas shumë kohë me bisedu. Po do të thotë e kanë thirr, jo unë, në telefon edhe i kanë thënë zonja Pula, profesoresha e kam pas, do të thotë jemi në mundësi me të propozu edhe me qenë presidente, normalisht që pas atyre bisedave e ka pranu dhe ne jemi pajtu. Asnjëherë në Partinë Demokratike të Kosovës zyrtarisht nuk është diskutu emri i profesoreshës Justina Pula Shiroka për me qenë presidente”, tha ai.

Reklamë