Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00, me disa pika në rend dite.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, deputetët do të shqyrtojnë përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Reklamë

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.