Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij do të marrë pjesë në Grupin Punues të themeluar nga Qeveria e Kosovës për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit për katër ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Abdixhiku ka bërë të ditur se përfaqësues i LDK-së në këtë grup pritet të jetë akademiku Kujtim Shala, ndërsa në rast se ai nuk mund të marrë pjesë, partinë do ta përfaqësojë deputetja Jehona Lushaku Sadriu.
“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik Kujtim Shalën. Nëse akademik, Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do jetë vetë Jehona Lushaku Sadriu”, ka deklaruar Abdixhiku.
I pyetur se si e vlerëson këtë iniciativë, kreu i LDK-së ka thënë se përpjekjet e përbashkëta kombëtare janë të mirëseardhura, por ka paralajmëruar kundër nismave që, sipas tij, nuk kanë efekt juridik.
“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, ka thënë ai.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur dje, ka vendosur të themelojë Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Grupi do të ketë për detyrë edhe bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në përbërje të tij do të ketë nga një përfaqësues të grupeve parlamentare të partive shqiptare dhe një përfaqësues të grupeve parlamentare të komuniteteve joshumicë.