Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka kërkuar afat shtesë që t’i analizojë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat do të votohen, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i kësaj partie, Besnik Mustafa tha se në parim LDK mbështet marrëveshjet ndërkombëtare, por kërkoi që deputetëve të grupit parlamentar të kësaj partie t’u jepet kohë dhe të dalin me një qëndrim si LDK.
“Përderisa LDK në parim mbështete marrëveshjet ndërkombëtare, kemi një rast të veçantë, ku të martën është ftuar Komisioni për Buxhet për të mërkurën, dhe menjëherë të enjten po tentohet të futen këto pika në rend të ditës. Parimisht jemi për Marrëveshjet ndërkombëtare por në këtë rast kërkojmë afat shtesë që të gjithë deputetët e grupit Parlamentar të LDK-së të kenë kohë që t’i analizojnë këto e të arrijmë tek një qëndrim i përbashkët i LDK-së. Prandaj, ne nuk i përkrahim përfshirjen e tyre në rendit e ditës në këtë procedurë”, tha deputeti i LDK-së, Besnik Mustafa.
Në këtë seancë, shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci kërkoi që në rend dite të futen edhe katër marrëveshje të tjera.
/Reporteri.net/