Studiuesi francez Serge Métais ka deklaruar se rasti i klinikës “Medicus” në Prishtinë mund të ketë qenë pjesë e një provokimi të shërbimeve sekrete ruse, me qëllim që të dëshmohej vazhdimësia e pretenduar e trafikimit të organeve njerëzore në Kosovë pas luftës.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Métais ka thënë se organizata kriminale që qëndronte pas rastit “Medicus” drejtohej nga kirurgu Yusuf Sönmez dhe Moshe Harel, të cilët, sipas aktakuzës së prokurorit special të EULEX-it, Jonathan Ratel, e kishin qendrën e veprimtarisë jashtë Kosovës, në zonën ndërmjet Stambollit dhe Tel Avivit.

“Fare thjesht. Mbështetem në aktakuzën e prokurorit special të Misionit EULEX, Jonathan Ratel, i cili drejtoi hetimet për rastin Medicus. Ai vërtetoi se organizata kriminale që qëndronte pas kësaj çështjeje drejtohej nga dy turko-izraelitë, kirurgu Yusuf Sönmez dhe Moshe Harel, dhe se qendrën e kishte jashtë Kosovës, diku ndërmjet Stambollit dhe Tel Avivit, prej nga organizohej gjithçka. Hetimi tregoi se viktimat e identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën Medicus, ashtu si edhe personat të cilëve u ishte transplantuar ajo veshkë, ishin të gjithë të huaj për Kosovën”, ka thënë ai.

Reklamë

Sipas Métais, hetimet kishin vërtetuar se në klinikën “Medicus” ishin kryer heqje dhe transplantime të veshkave nga marsi deri në fillim të nëntorit të vitit 2008. Si dhuruesit, ashtu edhe përfituesit e organeve kishin ardhur nga jashtë Kosovës posaçërisht për ndërhyrjet kirurgjike.

Ai ka theksuar se klinika në Prishtinë ishte vetëm njëra prej disa platformave të përdorura nga rrjeti kriminal, duke iu referuar deklarimeve të prokurorit Ratel për ekzistencën e klinikave të tjera në Azerbajxhan dhe në vende të tjera.

Métais ka pretenduar se ekzistojnë arsye për të dyshuar për lidhje të këtij rrjeti me shërbimet sekrete ruse. Si një prej treguesve të mundshëm, ai ka përmendur faktin se shumica e viktimave të identifikuara, të cilave u ishte hequr një veshkë në klinikën “Medicus”, vinin nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Kjo tregon se shërbimet sekrete ruse nuk mund të mos i dinin degëzimet e rrjetit kriminal në zonën e tyre tradicionale të ndikimit. Ka arsye të forta për të menduar se ato kishin lidhje me këtë rrjet. Natyrisht, ndryshe nga shumica e vendeve prej nga vinin dëshmitarët e identifikuar (viktima të heqjes së veshkës ose përfitues të transplantimit), Rusia nuk bashkëpunoi me hetimin e prokurorit Ratel për marrjen e tyre në pyetje”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, deklaratat e Métais për lidhje të rrjetit kriminal me shërbimet sekrete ruse nuk shoqërohen në intervistën e publikuar me prova konkrete që do t’i vërtetonin këto lidhje.

Reklamë

Studiuesi francez ka theksuar se veprimtaria kriminale e klinikës “Medicus” kishte nisur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, dhe se, sipas tij, nuk kishte prova për vazhdimësi me pretendimet për trafikim të organeve njerëzore pas luftës, gjatë viteve 1999–2000.

“Në fund, del se veprimtaria kriminale e klinikës ‘Medicus’ ishte veprimtari e kohëve të fundit. Ajo nisi vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk ka asnjë provë të vazhdimësisë së saj me trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore pas luftës, në vitet 1999–2000. Dick Marty i shpërfilli këto përfundime të hetimit të prokurorit special të Misionit EULEX, Jonathan Ratel. Janë të kuptueshme arsyet e një shpërfilljeje të tillë: rasti Medicus u jepte një besueshmëri të jashtëzakonshme rrëfimeve për ‘trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë’ në fund të viteve 1999–2000. Për më tepër, ai sugjeronte një vazhdimësi. Drejtuesit e UÇK-së, që sipas pretendimeve kishin organizuar trafikimin pas luftës, ishin atëherë në pushtet në Prishtinë. Sipas këtij pretendimi, ata qëndronin edhe pas veprimtarisë kriminale të klinikës Medicus”, ka thënë Métais.

Ai ka kritikuar kështu raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke thënë se ky i fundit i kishte shpërfillur përfundimet e hetimeve të EULEX-it dhe se rasti “Medicus” ishte përdorur për të krijuar përshtypjen e një vazhdimësie mes veprimtarisë kriminale të vitit 2008 dhe pretendimeve për trafikim të organeve pas luftës.