×
  • Lajme
  • Lajme

    Milionat e Akan Ismailit të fshehura në Zvicër, aktivizohet Prokuroria Speciale

    Reporteri
    13 Janar 2023 | 15:00
    Akan Ismaili | Foto: Miriam Lomaskin, shtator 2013

    Vetëm pak javë pasi një hulumtim gazetaresk zbuloi se ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, në vitin 2014 i kishte rreth 4 milionë franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në “Credit Suisse”, në Zvicër, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj, rastin tashmë po e trajton Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Kjo i është konfirmuar zyrtarisht gazetës online Reporteri.net nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka iniciuar rast sipas detyrës zyrtare, si dhe është në fazën e analizimit të përmbajtjes së lajmit, me qëllim të grumbullimit të informatave të nevojshme për dyshimet të cilat ndërlidhen me kryerjen e veprës penale”, thuhet ne përgjigjen e Ekrem Lutfiut për gazetën online Reporteri.net.

    Ish manjati i telekomunikimeve në Kosovë, Akan Ismaili, u emërua ambasador në SHBA në vitin 2012.

    Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në “Credit Suisse”, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-ës.

    Parat e fshehura dolën në pah më 22 dhjetor 2022 nga hulumtimi “Suisse Secrets”, i “Preportr” dhe “OCCRP”, një projekt gazetaresk bashkëpunues i bazuar në të dhënat e rrjedhura të llogarisë bankare nga gjiganti bankar zviceran “Credit Suisse”.

    Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.

    “Zyrtarët që kualifikohen për deklarim të pasurisë janë të obliguar që të raportojnë pasuritë e tyre monetare, te luajtshme dhe të paluajtshme që i posedojnë brenda dhe jashtë vendit. Mos deklarimi në kohe dhe deklarimi i pasaktë konsiderohen vepra penale të dënueshme me gjobë dhe me burg deri 5 vite”, thotë neni 430 i Kodit Penal të Kosovës.

    Ish-manjati i IPKO’s Akan Ismaili nuk i raportoi rreth 4 milionë Franga në llogarinë e tij në Zvicër

    Kundër-korrupsioni thotë se s’ka si t’i verifikojë milionat e Ismailit në Zvicër: Kanë kaluar gati 10 vjet, është gati e pamundur

    Për rastin e Akan Ismailit për gazetën online Reporteri.net janë deklaruar edhe nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

    Nga kjo agjenci, thonë se nuk mund të bëjnë ndonjë verifikim/hetim administrativ për këtë rast për shkak që shkelja e pretenduar ka ndodhur para afërsisht 10 vitesh.

    “Sido që jetë, Prokuroria e Shtetit mund të jep opinion më të saktë në lidhje me parashkrimin e mundshëm nga hetimi penal që do të mund të kryhej nga ta në lidhje me shkeljen e pretenduar nga ju”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhënë për gazetën online Reporteri.net.

    Tutje, kjo agjenci jep arsyetimin e saj për “lëshimin” e tyre në këtë rast që i mundësoi Ismailit fshehjen e miliona parave në Zvicër, gjatë kohës kur ishte ambasador i Kosovës në SHBA, dhe që obligohej me ligj t’i deklaronte të gjitha asetet pasurore të tij.

    “Mundësitë për verifikim dhe hetim që ka Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, për asetet dhe pasurinë jashtë vendi, janë të kufizuara. Ndërsa qasja në gjendje të llogarive bankare të mbajtura jashtë vendit, e veçanërisht në disa shtete, është gati e pamundshme për shkak të mbrojtjes së këtyre llogarive nga legjislacioni i vendeve ku mbahen llogaritë bankare, si dhe mungesës së një mekanizmi ndërkombëtar për qellim të verifikimit të deklarimit të pasurisë, siç është mekanizimi i bashkëpunimit të ndërsjellë ligjor që kanë institucionet për sundimin e ligjit (policia, prokuroria, etj.)”, thotë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë.

    Nga ana tjetër, Akan Ismaili vazhdon të mos iu përgjigjet pyetjeve të gazetës online Reporteri.net, të dërguara disa herë me e-mail për komente e sqarime, përmes e-mail adresave zyrtare të biznesit të tij funksional në Kosovë, “Scardian”, dhe atij të riut të paralajmëruar për t’u hapur së shpejti “Hyperactiv” – si dhe përmes drejtuesit të bizneseve të tij në Kosovë, Artan Lahut.

    Akan Ismaili po hap biznes të ri në Kosovë, gjithçka u njoftua vetëm një ditë pas skandalit 

    Derisa, ish-ambasadori Akan Ismaili vazhdon t’u shmanget përgjigjeve në pyetjet e gazetës online Reporteri.net, vetëm një ditë pasi iu zbuluan rreth 4 milionë franga të fshehura në një llogari bankare në Zvicër, përmes postimeve në media sociale u njoftua se i njëjti po hap një biznes të ri në Prishtinë.

    Fjala është për një park argëtues që prezantohet si më i madhi i brendshëm në Kosovë dhe rajon, siç thuhet në njoftimin e shpërndarë në media. Ky biznes paralajmërohet të jetë pjesë e qendrës së re tregtare “Prishtina Mall”, dhe se gjithçka pritet të startojë në pranverë të vitit të ardhshëm.

    Për më tepër, biznesi i ri i Akan Ismailit në hapësirë të brendshme, më 23 dhjetor 2022, u njoftua se do të ofrojë edhe aventurën e Go-Kartingut me standardet e gjeneratës me të re në treg.

    Një ditë pasi iu zbuluan milonat e fshehura në Zvicër, njoftohet se Akan Ismaili po hap biznes të ri në Kosovë

    Biznesi i ri i ish-manjatit të telekomunikimeve, me emër tregtar “Hyperactiv” (Unlimited Gaming SH.P.K.) në ARBK del të jetë i regjistruar në kuadër të kompanisë multimilonëshe “Fundway LLC”. Këtë biznes, i regjistruar më 06 gusht 2010, Akan Ismaili e ka në bashkëpronësi 50/50 me biznesmenin tjetër Bujar Musa.

    Kapitali i regjistruar në ARBK i kësaj kompanie del të jetë hiç më pak se 14,535,309.00 Euro. Nga mbi 7.2 milionë Euro kapital të ndarë mes dy pronarëve Ismaili dhe Musa.

    Pjesë e “Fundway LLC” është edhe kompania e sigurimeve “Scardian”.

    “Fondway LLC” për drejtor të deklaruar ka Artan Lahun që konsiderohet njeriu më i besueshëm i pronarëve të kompanive. Derisa i njëjti figuron edhe ai agjent i regjistruar në “Scardian” dhe përfaqësues i autorizuar në “Hyperactive”.

    Një hulumtim i “Balkan Insight” në vitin 2015 kishte zbuluar se biznesmenët Akan Ismaili dhe Bujar Musa kishin pasur lidhje biznesore edhe me Zvonko Veselinoviq – i sanksionuar tashmë non-grata nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Dyshja multimilionerë kanë qenë edhe themelues dhe ish-drejtues të IPKO’s. Madje, Akan Ismaili para se të shkonte për mision diplomatik si ambasador i Kosovës në SHBA, kishte qenë edhe drejtor i IPKO’s.

    Në periudhën kur ata drejtonin kompaninë ka patur raportime të ndryshme dhe hetime se IPKO ka shmangur miliona Euro tatime, e madje nuk i është paguar shtetit as një garanci bankare me vlerë 15 milionë Euro kur ishte fituar tenderi për hyrjen e telefonisë IPKO në Kosovë.

    Në lidhje me këto pretendime, zëdhënësja e IPKO’s, Afrika Zyferi me 23 dhjetor 2022 i tha gazetës online Reporteri.net se “Nuk kemi informacion ne lidhje me këtë çështje”.

    Pyetjet në drejtim të saj përveç për dyshimet e ngritura rreth shmangies së pagesës së garancës bankare, ishin edhe rreth mundësisë që IPKO të implikohet në skandalin e fshehjes së milionave nga ana e Akan Ismailit në Zvicër. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!