Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Serbinë për pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe për mosdorëzimin e Milan Radojiçiqit te autoritetet kosovare, duke theksuar se ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht përfshirjes së tij në sulmin në Banjskë, sipas saj.
Nagavci tha se Kosova vazhdon bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, ndërsa Serbinë e akuzoi për ndërhyrje politike dhe tolerim të krimit të organizuar.
Ajo përmendi paraqitjen e Radojiçiqit pranë djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim të Partisë Progresive Serbe, më 9 tetor në Kragujevc.
“Më 9 tetor, në Kragujevc, kreu terrorist Milan Radojiçiq u shfaq pranë djalit të Aleksandar Vuçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe. Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletë-arresti ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, deklaroi Nagavci.
Sipas saj, kjo paraqitje ndodhi në një kohë kur në Serbi po zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.
“Kjo ndodh kur protestat kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes kanë tronditur pushtetin e Vuçiqit, ndërsa pranë familjes së tij shfaqet një figurë e sanksionuar për lidhje me rrjetet kriminale dhe me veprimtari terroriste. Radojiçiq e ka pranuar organizimin e grupit që sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator 2023”, tha ajo.
Nagavci kritikoi gjithashtu autoritetet serbe për mosdorëzimin e Radojiçiqit dhe moszbatimin e fletarrestimit ndërkombëtar, duke e cilësuar Serbinë si shtet të papërgjegjshëm në raport me detyrimet ndërkombëtare.
Ajo iu referua edhe deklaratave të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili, sipas Nagavcit, më 7 tetor në Rashkë kishte deklaruar se flamuri serb do të valvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur.
“Ne nuk habitemi. Këto nuk janë vetëm deklarata elektorale, por vazhdimësi e pretendimeve territoriale nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë. Edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, të dënuar për gjenocid, e dëshmojnë këtë trashëgimi politike”, përfundoi Nagavci.