Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria pritet ta procedojë brenda kësaj jave opinionin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Haxhiu ka thënë se Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, ka në dispozicion 30 ditë për ta dërguar opinionin në Kuvend.

“Sipas kryeministrit Kurti, Qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, i ka 30 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.

Reklamë

Ajo ka bërë të ditur se, bazuar në komunikimet e deritanishme, Qeveria po bën përpjekje maksimale që opinioni t’i dërgohet Kuvendit brenda kësaj jave.

“Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, pas dërgimit të opinionit, nisma do të mund të trajtohet në komisionet përkatëse parlamentare, përfshirë Komisionin për Legjislacion.

“Dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për Legjislacion dhe komisionet tjera”, ka deklaruar Haxhiu./Reporteri.net/