×
  • Lajme
  • Lajme

    Nisin takimet e Lajçak me liderët opozitarë, të parit i shkon në zyrë Memli Krasniqit

    Reporteri
    10 Mars 2023 | 10:59

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, do të takohet të premten edhe me kryetarët e partive politike në Kosovë.

    Takimin e parë, Lajçak e ka nisur me kreun e PDK-së Memli Krasniqi, shkruan Reporteri.net.

    Pas Krasniqit, Lajçak pritet të takohen me liderin e AAK-së në 11:45, ndërsa do të jetë në LDK në orën 14:45.

    Lajçak vizitën në Kosovë e nisi dhe dhe takime pati me krerët e shtetit, Vjosa Osmani e Albin Kurti.

    Takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e quajti konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm, gjersa para mediave theksoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Me kryeministrin Kurti patëm një bisedë konstruktive, shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Po ashtu u takova me presidenten Osmani, me të cilën pata bisedë dhe do të takohem edhe me krerët e opozitës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst”, ka theksuar Lajçak.

    Gjatë ditës së djeshme u konfirmua edhe zyrtarisht se raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet më 18 mars në Ohër, ku me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kurti e Vuçiq do të kenë ballafaqimin e radhës.

    Bashkimi Evropian njoftoi të enjten se edhe Kurti edhe Vuçiq konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borelli.

    Propozimi i BE-së nuk u nënshkrua më 27 shkurt në Bruksel, megjithëse të dy palët ranë dakord për tekstin e tij.

    Kryeministri i Kosovës Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante, por pala serbe nuk e dëshironte.

    Më 2 mars, BE-ja njoftoi se, pasi të dyja palët u pajtuan për propozimin, nuk kishte nevojë për diskutime të mëtejshme dhe se dokumenti tani “është bërë Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    Lajçak përmes vizitave në Kosovë dhe Serbi do t’i ndihmojë palët që të finalizojnë diskutimet për krijimin e udhërrëfyesit për zbatimin e propozimit evropian.

    BE-ja pret gjithashtu një raport nga seanca e Këshillit Evropian më 23 dhe 24 mars nëse Beogradi dhe Prishtina janë pajtuar për zbatimin e propozimit për normalizimin e marrëdhënieve.

    Propozimi evropian, i cili ka mbështetjen e vendeve perëndimore, përbëhet nga njëmbëdhjetë pika dhe synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy palëve.

    Aty nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke, por neni i dytë thotë se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!