Ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar në Facebook lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar të gjithë ata të cilët sipas saj partinë e Ibrahim Rugovës e barazuan me Listën Serbe, me grupin kriminal që kreu agresion ndaj Kosovës, e madje edhe u akuzuan se e urrejnë UÇK-në.
“Për të mbuluar të vërtetën, u zgjodh linçimi politik kundër LDK-së, partisë që i vuri themelet e lirisë, pavarësisë e demokracisë. Partinë e Ibrahim Rugovës e barazuat me Listën Serbe, me grupin kriminal që kreu agresion ndaj Kosovës, e madje na akuzuat se e urrejmë UÇK-në”, shkroi Osmani.
Por, ajo kërkoi që të mos ngatërrohet mbrojtja e luftës me monopolizimin e saj.
“Nëse ka një të vërtetë që duhet ta kujtojmë gjithmonë, është kjo: krenaria jonë më e madhe është një histori që bashkon Adem Jasharin, Komandantin e UÇK-së, me Ibrahim Rugovën, Komandantin Suprem të luftës sonë çlirimtare. Secili në rrugën e vet, i shërbyen idealit të lirisë së Kosovës”, shkroi ish-presidentja.
“Kjo është historia jonë. E përbashkët! E shenjtë! Dhe atë askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë”, tha në fund ish-presidentja Osmani.