Presidentja Vjosa Osmani ka uruar festën e Fitër Bajramit.
Ajo i ka shkuar në vizitë Myftiut Naim Tërnava, nga dhe ua uroi festën të gjithë besimtarëve myslimanë.
Osmani tha se shpreson që kjo festë t’i bëjë të gjithë bashkë dhe ta rrisë solidaritetin.
“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës sonë me fat festën e Fitër Bajramit, duke uruar më të mirat për ta, duke shpresuar që Zoti i madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet dhe agjërimin e gjithsecilit dhe duke shpresuar që kjo ditë, si gjithnjë përgjatë historisë sonë, të na bëjë të gjithëve bashkë, t’i hapë zemrat, t’i hapë dyert e secilit, ta rrisë solidaritetin dhe t’i rrisë vlerat njerëzore të cilat gjithmonë na kanë bërë bashkë si popull, përfshirë në kohët më të rënda, kur pikërisht ky bashkim, pikërisht hapja e zemrave dhe dyerve, na ka ndihmuar që t’i tejkalojmë kohë shumë të rënda për shtetin dhe për kombin tonë”, tha Osmani.
“Dua ta falënderoj Myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij anekënd Kosovës për punën e jashtëzakonshme që bëjnë, në veçanti gjatë muajit të Ramazanit për të mbështetur familjet, në nevojë… ”, tha Osmani.
“Dua t’i falënderoj miqtë, aleatët tanë, të cilët shpesh edhe nëpërmjet shtetit, edhe nëpërmjet Bashkësisë Islame ndihmojnë familjet në Kosovë. Dua t’i falënderoj qytetarët tanë zemërgjerë, përfshirë ata nga mërgata jonë, të cilët asnjëherë nuk e mbyllën zemrën, por gjithmonë e hapën atë duke ndihmuar çdo familje që ka nevojë edhe sot të festojë, por ta ndiejë dorën e solidaritetit edhe përtej festës së Bajramit”, shtoi presidentja Osmani. /Reporteri.net/