Për herë të parë, një studente me shtetësi amerikane ka nisur studimet e rregullta në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (UP).

Bëhet fjalë për Virginia Hugo-Vidal, e cila është regjistruar në programin master në gjuhën angleze “Human Rights, International Criminal Law and Transitional Justice” (Të Drejtat e Njeriut, E Drejta Penale Ndërkombëtare dhe Drejtësia Tranzicionale).

Lajmi është bërë i ditur nga Fakulteti Juridik i UP-së, i cili ka njoftuar se më 7 tetor 2026, dekani Avni Puka ka pritur në një takim mirëseardhjeje studenten amerikane.

Reklamë

Sipas njoftimit, Hugo-Vidal, e cila ka ndjekur më parë studime në universitete prestigjioze, është studentja e parë me shtetësi amerikane që ka zgjedhur të ndjekë studimet e rregullta me kohë të plotë në këtë fakultet.

Nga Fakulteti Juridik bëjnë të ditur se programi master në gjuhën angleze, që nga viti akademik 2023/2024, ka përfshirë vazhdimisht studentë dhe profesorë ndërkombëtarë.

Sipas fakultetit, ndërkombëtarizimi i programeve akademike dhe zgjerimi i bashkëpunimit me studentë e profesorë të huaj mbeten ndër prioritetet kryesore të institucionit gjatë viteve të fundit.