Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) sot nisi shkyçjen e bizneseve të cilat nuk kanë lidhur marrëveshje me një furnizues të energjisë elektrike. KEDS përmes një njoftimi ka thënë se ligjërisht nuk mund të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
Ndaj veprimit të KEDS përveç reagimeve të bizneseve kanë reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shkyçja e 1400 bizneseve rrezikon që mijëra punëtorë të mbesin pa vende pune, shkruan Reporteri.net.
“1400 biznese, kryesisht prodhues, po shkyçen me dhunë nga rrjeti i energjisë elektrike. Mijëra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa vende pune, pa të ardhura për veten dhe familjet e tyre. Qytetari i Kosovës, i rraskapitur nga çmimet e larta të produkteve bazike dhe energjisë, sot po përballet edhe me rrezikun e papunësisë masive, si pasojë e vendimeve rrënuese të Kurtit dhe klikës së tij në ZRRE. Situata është alarmante. Ky është vetëm vazhdimi i përpjekjeve të qëllimshme të lidershipit të LVV-së dhe vartësve të tyre për të shkatërruar sektorin privat, ashtu siç kanë bërë me institucionet e pavarura. Kjo mendësi totalitare i përket shekullit të kaluar, dhe shoqëria jonë nuk do ta tolejrojë”, ka shkruar Çitaku.
Lidhur me këtë çështje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media, kur deputetja Hykmete Bajrami ka adresuar kritika në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Ajo ka thënë se sot po merr formë politika ‘’shkatërruese’’ e Kurtit, duke shtuar se ky i fundit, ka instaluar ‘’të dëgjueshmit’’ e tij në ZRRE por edhe në institucione të tjera.
‘‘Për të kundërshtuar dhe shprehur shqetësimin tonë lidhur me shkyçjen e mbi 1300 bizneseve. Sot përfundimisht po merr formë politika shkatërruese e Albin Kurtit. Ka instaluar të dëgjueshmit e tij në ZRRE dhe në çdo institucion tjetër. Sot shkyçja e dhunshme është persekutim. I bëjmë thirrje prokurorisë speciale që të merret me institucionet siç janë ZRRE dhe të tjera’’, ka thënë ajo.
Bajrami ka thënë edhe se qytetarët po paguajnë për mafinë energjetike, dhe se qytetarët do të përballen me një valë të re të inflacionit.
‘‘Qytetarët duhet ta dinë që po paguajnë për mafinë energjetike. Faturat për ekonomi familjare ka kohë që janë dyfishuar. Qytetarët duhet të dinë që me këto politika do të vjen një valë e re e inflacionit. Kjo politikë, disa biznese do ti mbyllë në tërësi, disa do të largohen për në vendet fqinje’’, ka thënë ajo.
Poashtu ka reaguar edhe deputeti i PDK-sëm, Abelard Tahiri, i cili përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Qeveria e Albin Kurtit po i lë mbi 1,400 biznese pa rrymë, duke rrezikuar mbi 100 mijë familje në Kosovë.
“Bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin pa punë! Ky nuk është dështim – është katastrofë kombëtare ekonomike. Qeveria e Albin Kurtit po i lë mbi 1,400 biznese pa rrymë, duke rrezikuar mbi 100 mijë familje në Kosovë. Kjo është tradhti ndaj ekonomisë dhe qytetarëve të vendit!”, ka shkruar ai.
Ndaj veprimit të KEDS kanë reaguar edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë si dhe pronar të biznesit. /Reporteri.net/.