Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, mbi 2 mijë fishekë, granata dore dhe municion të llojeve të ndryshme në dy lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar të martën, më 13 tetor, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët për armë dhe mjete të tjera ilegale në dy lokacione.
Gjatë kontrollit në një objekt të pabanuar, në fshatin Parucë, policia ka gjetur dhe sekuestruar 141 fishekë të armës së gjatë, 21 fishekë të armës së gjatë me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, katër granata dore, një tytë të pushkës së gjuetisë dhe 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë.
Në këtë lokacion janë gjetur edhe një pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, sfera për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, kapsolla dhe tamponë për fishekë, një maskë gazi ushtarake dhe një bajonetë ushtarake.
Ndërkaq, në një objekt tjetër të pabanuar, në fshatin Ranqiq, policia ka sekuestruar një pistoletë, katër granata dore dhe 2 mijë e 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive, të cilat i kanë tërhequr granatat në mënyrë të kontrolluar.
Policia ka bërë të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar lidhur me rastet.
Të gjitha veprimet policore i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.