Ruajtja e kushtetutshmërisë, koordinimi ndërinstitucional, forcimi i rolit të Kosovës në politikën e jashtme, si dhe angazhimi në çështjet që lidhen me ish-krerët e UÇK-së, janë disa nga sfidat që, sipas njohësve të çështjeve politike, e presin presidenten e re Justina Shiroka-Pula.
Ish-diplomati Albert Prenkaj thotë për KosovaPress se, mbi të gjitha, presidentja duhet të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese.
Por, përtej rolit të saj në planin e brendshëm, Prenkaj vlerëson se presidenca mund të ketë peshë të veçantë edhe në politikën e jashtme. Sipas tij, presidentja e re mund të kontribuojë në intensifikimin e komunikimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe në forcimin e përfaqësimit të vendit jashtë.
Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, kërkon një koordinim më të madh ndërmjet Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit.
Ai thotë se institucionet duhet të kenë një qasje të përbashkët, veçanërisht në politikën e jashtme, në mënyrë që Kosova të paraqitet me qëndrime të unifikuara para partnerëve ndërkombëtarë.
Arifi e sheh si të rëndësishme edhe çështjen e Gjykatës Speciale, sidomos pas miratimit të Ligjit të ri për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, duhet krijuar një task-force, e cila do të koordinonte dhe monitoronte zhvillimet që lidhen me këtë proces, pas dënimit të katërshes së UÇK-së.
Ndërkohë, edhe Prenkaj e sheh presidenten e re si një figurë që mund të mbledhë rreth vetes ekspertë për çështjet që lidhen me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, një prej hapave të parë do të duhej të ishte edhe komunikimi zyrtar me Brukselin dhe Hagën për çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Gjykatën Speciale.
Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente mesnatën mes 6 dhe 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e 81 deputetëve, pas marrëveshjes mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë më të madhe opozitare, PDK.