×
  • Lajme
  • Lajme / 28 nëntori

    Presidentja Osmani uron Shqipërinë në 111 vjetorin e pavarësisë: Kosova do të jetë gjithnjë krah jush

    Reporteri
    28 Nëntor 2023 | 8:38

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, i bashkon flamuri kuq e zi dhe data 28 nëntor.

    E para e shtetit të Kosovës tha se flamuri kombëtar është trashëgimi e përjetësuar në simbol që nga viti 1443 në Krujë, 1912 në Vlorë dhe 1999 në Prishtinë.

    “Kjo ditë është dedikim për heronjtë tanë që prej Gjergj Kastriotit, Ismajl Qemajlit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e deri te Adem Jashari, vepra e të cilëve është vula e shtetit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës”, shkroi Osmani.

    Tutje, Osmani uroi Shqipërinë e institucionet e Kosovës në 111 vjetorin e pavarësisë, duke thënë se Kosova do të jetë gjithnjë në krah të Shqipërisë, duke thelluar më tej lidhjet ndërshtetërore, sikurse edhe ato ndërmjet motrave e vëllezërve.

    Sot mbushen 111 vjet nga dita kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

    Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

    Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.

    Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!