Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kërkuar që prioritet i Kuvendit të jetë shqyrtimi i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Musliu ka thënë se, ndonëse kishte marrë pjesë në mbledhje për të konfirmuar konstituimin e komisionit, në situatën aktuale nuk mund të vazhdohet me punë rutinore të Kuvendit.
“Vërtet sot jam këtu vetëm për të konfirmuar konstituimin e këtij komisioni dhe për t’i bërë funksional të gjithë trupat e Kuvendit që i duhen për të funksionuar një Kuvend normal, por sot, dje, e po shpresoj që nesër do të kemi një ditë tjetër, nuk mund të sillemi normal dhe të mbajmë rend dite e procesverbale të zakonshme, sikur gjithçka po funksionon normalisht”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka thënë se Kuvendi nuk duhet të jetë indiferent ndaj kërkesave të qytetarëve dhe se, sipas saj, nuk duhet të ketë prioritet tjetër para ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë që ky Kuvend të mos ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Musliu.
Musliu ka kërkuar gjithashtu unitet të deputetëve për këtë çështje.
“Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë”, është shprehur ajo.
Ndërkaq, deputeti Fadil Demaku ka thënë se projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë “prioriteti numër një” i Kuvendit.
“Vetëm dua të konfirmoj atë që tha kolegia Ganimete Musliu, se prioritet për Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është projektligji për Dhomat e Specializuara. Unë mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të gjejnë sa më shpejt një unifikim të përbashkët dhe krejt potencialin tonë në këto ditë ta vënë në shërbim të këtij projektligji”, ka deklaruar Demaku.
Ai ka thënë se çështjet e tjera mund të presin, ndërsa ka kërkuar që ndryshimi i ligjit të trajtohet me urgjencë.
“Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin”, ka thënë Demaku.