Nga foltorja e Kuvendit, Musliu ka kritikuar mënyrën e ndërhyrjes së policisë, duke pretenduar se protestuesit u përballën me gaz lotsjellës, plumba gome dhe ujë të ftohtë, si dhe me dhunë fizike.

Ajo ka thënë se ndërhyrja nuk ishte përgjigje ndaj veprimeve të protestuesve, por, sipas saj, një skenar i kurdisur për t’i provokuar qytetarët që po protestonin kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së dhe për të kërkuar ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Ajo që pamë ishte e frikshme dhe e papranueshme. Kishte përndjekje të qytetarëve nëpër hapësira dhe përdorim të shfrenuar të dhunës fizike”, ka deklaruar Musliu.

Reklamë

Ajo ka kërkuar që hetimi i IPK-së të mos kufizohet vetëm te zyrtarët policorë që zbatuan urdhrat, por të përfshijë edhe të gjithë zinxhirin komandues.

“Kush dhe nga ku u dha urdhri për ndërhyrje, kush e detyroi këtë operacion dhe kush e vlerësoi situatën për këtë ndërhyrje”, janë pyetjet që Musliu kërkoi të marrin përgjigje përmes hetimit.
Protesta e 5 tetorit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.