Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar të enjten iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 2 tetor 2026, dhe në të thuhet se nuk ka pengesa ligjore që propozim-ndryshimi të procedohet në Kuvend.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Reklamë

Vendimi tash i përcillet Kuvendit të Kosovës në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kësaj nisme legjislative.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Zhvillimi vjen disa orë pas takimit të Kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Propozimi për ndryshimin e Ligjit për Specialen është bërë nga PDK-ja, dhe ka ardhur pas aktgjykimit dënues të shkallës së parë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Reklamë

Më 16 shtator, Specialja dënoi Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.