Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe procesin e ardhshëm zgjedhor në vend.
Haradinaj deklaroi se shkuarja prapë në zgjedhje është një skenar i përgatitur herët nga kryeministri Albin Kurti dhe se të gjitha lëvizjet e tjera janë vetëm në funksion të arritjes së datës që ai dëshiron.
Për këtë, ai rikujtoi edhe paralajmërimet e mëhershme të Kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini.
“Kryetari Gjini herët e ka bërë të ditur se është skenar i Kurtit shkuarja prapë në zgjedhje, të gjitha zhvillimet tjera janë ndihmëse për Kurtin me mbërri datën që ai synon që me u mbajtë zgjedhjet në datën që ai don.”
Më tej, Haradinaj sqaroi se votat për të shkuar në zgjedhje kanë ekzistuar që nga data 9 korrik, por procesi u zvarrit qëllimisht gjatë muajve gusht dhe shtator, duke shkelur afatin ligjor prej 30 ditësh.
Sipas tij, kjo po bëhet që data të përzgjidhet nga Albulena Haxhiu ashtu siç i konvenon Kurtit, duke e quajtur këtë situatë plotësisht të qartë.
“Zgjedhjet që po vijnë, për me ditë që jemi në zgjedhje këto vota i kanë pas me 9 korrik. Nuk e kanë bë me 9 korrik, nuk e kanë bë me 9 gusht as me 9 shtator se kryen. Ku mbeti afati 30 ditësh. Po ndodh që data me u zgjedh prej Albulenës, data që i konvenon Kurtit. Kjo është bardhë e zi, të gjitha tjerat janë mbulesë.”
Ai gjithashtu theksoi se mazhoranca i ka pasur mbi 60 vota dhe askush nuk ka pasur mundësi ta bllokojë atë, por ishte vetë kryeministri që bllokoi kandidatët për nënkryetarë duke humbur dy muaj kohë.
Haradinaj shtoi se konsumimi i afateve ligjore e ka futur Kosovën në një paqartësi që tani duhet ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese, ndërsa ftesat për takime i quajti thjesht formale.
“Kërkush s’ka mujtë me e blloku se i ka votat shumicë, 60 plus, ai i bllokoi kandidatët për nënkryetarë. Janë humb dy muaj, janë konsumuar afatet ligjore, tani jemi në paqartësi që duhet me i zgjidh Gjykata Kushtetuese. Kjo po i ndodh Kosovës. Edhe ftesat për takime ishin veç mbulesë se ky e ka nda mendjen.”
Haradinaj tërhoqi vërejtjen se këto vendime politike do të sjellin pasoja të rënda direkte si për vendin, ashtu edhe për vetë kryeministrin Kurti.
“Këto vendime kanë pasoja të mëdha për vendin po do të ketë pasoja edhe për të”, tha Haradinaj.