Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi që dje u raportua se është arritur në parim një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka ka thënë se VV-ja, është duke bërë përpjekje maksimale që të arrihet marrëveshja.
Manxhuka ka thënë se “shpreson që opozita të mos pengojë proceset dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja dhe vendi të vazhdojë përpara me stabilitet politik.
“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktiv e konstruktiv për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, ka deklaruar Manxhuka.
Dje u raportua se mesLDK-së dhe LVV-së ishte arritur në parim një marrëveshje për ndarjen e posteve kyç shtetërore, por zyrtarizimi i saj nuk ishte bërë për shkak të situatës së brendshme në partinë e Abdixhikut.
Këto raportimet nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht.
Në anën tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se detyrohet që të ndërpresë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
/Reporteri.net/