×
  • Lajme
  • Lajme

    Rruga nëpërmjet të cilës Rron Emini dhe tre terroristë tjerë kishin shkuar në Siri

    Reporteri
    13 Maj 2019 | 23:08

    Kur autoritetet e sigurisë në Kosovë ishin të bindura se kishin zbuluar dhe bllokuar rrugët përmes të cilave kosovarët udhëtonin për në ISIS, Rron Emini bashkë me tre xhihadistë tjerë ishin nisur nga Prishtina për në Siri. Ky udhëtim nuk ishte bërë përmes rrugës së zakonshme nëpërmjet Maqedonisë dhe Turqisë. Këtë herë Emini dhe tre të tjerët, më 6 shtator të vitit 2016, kishin shkuar përmes Malit të Zi në Turqi, e më pas, nga atje kishin kaluar kufirin për në Siri. Gati katër vite pas, Rron Emini sonte u raportua se u vra në zonat e konfliktit të Shtetit Islamik.


    Një 23 vjeçar nga Prishtina raportohet të jetë vrarë në Siri. Fjala është për Rron Eminin. Ai ISIS-it i ishte bashkuar në fillim të shtatorit të vitit 2016, kur ishte vetëm 20 vjeç.

    Bashkë më të, më 6 shtator të vitit 2016, udhëtuan edhe Amir Vuniqi, Egzon Iseni dhe Irfan Haqifi, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”. Vuniqi dyshohej se ishte organizator i këtij grupi, që për të shkuar në Siri kishin ‘zbuluar’ një rrugë të re.

    Këta të rinjtë, për dallim nga shumica e shtetasve kosovarë tjerë që ishin bashkuar ISIS-it përmes Maqedonisë duke kaluar ilegalisht në Greqi e më pas në Turqi, rrugëtimin për në zonat e luftës në Lindje e kishin bërë përmes Malit të Zi.

    Nga aty, siç ishte raportuar në vitin 2016, ata kishin kaluar ilegalisht kufirin për të shkuar në një shtet tjetër të Europës Lindore, e më pas në Turqi. Dhe nga shteti turk, kosovarët kishin kaluar kufirin për të arritur në Siri, për tu bërë pjesë e organizatave terroriste.

    Rrugëtimin e tyre e kishin konfirmuar, atëkohë për media, edhe autoritetet e sigurisë në Kosovë, shkruan Reporteri.net. Ndërkohë që të njëjtin krenoheshin se kishin arritur të bllokonin rrugët tjera përmes Maqedonisë dhe Greqisë, që deri në vitin 2016 u shfrytëzuan nga një numër i madh i kosovarëve për të udhëtuar në Turqi për të përfunduar në Irak e Siri.

    Shkuarja në Siri e të katër kosovarëve: Rron Emini që tashmë raportohet i vrarë, Amir Vuniqit, Egzon Isenit dhe Irfan Haqifit, në vitin 2016, konsiderohej si një dështim i autoriteteve të sigurisë në Kosovë. Kjo pasi të katër këta në kohen kur iu bashkuan ISIS’it ishin nën hetime në Kosovë për vepra penale që ndërlidheshin me terrorizëm.

    Madje, Irfan Haqifi vëllai i ish-prijësit të shqiptarëve në ISIS Ridvan Haqifit, të dy tashmë të vrarë në Siri në vitin 2017, në kohen kur shkoi në ISIS, kishte të ngritur një aktakuzë për rekrutim të terroristëve kosovarë, nga Prokuroria Speciale, por që ishte lënë në ‘arrest shtëpiak’ nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Gati katër vite pas, përveç Haqifit, në Siri njoftohet të jetë vrarë edhe Rron Emini. Gjithsej numri i kosovareve të vrarë në ISIS llogaritet të jetë mbi 70, shkruan Reporteri.net. Vdekjen e Eminit e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet vetë ministrit Aberlard Tahiri.

    Emini u vra vetëm pak javë pasi në Kosovë u riatdhesuan 110 kosovarë nga Siria. Në mesin e tyre ishin edhe katër terroristë që u dërguan në paraburgim. Pjesa më e madhe e të kthyerve ishin fëmijë, ndërkohë që pjesa tjetër ishin gra të kthyera nga zonat e luftës. /M.Gj./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!