×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    SHBA paralajmëron Ministrinë e Sveçlës: Qeveria ka instrumentalizuar Policinë, veprimet e pakordinuara në veri ndikojnë në bashkëpunimin tonë

    Reporteri
    30 Gusht 2024 | 21:31
    Ilustrim nga arkiva

    Ambasada e ShBA’së në Kosovë ka reaguar lidhur me aksionin e Policisë në Veri për mbylljen e mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale, duke shprehur shqetësim dhe zhgënjimi “me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës”, shkruan Reporteri.net.

    Në reagim thuhet se Qeveria ka instumentalizuar Policinë e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

    Tutje, thuhet se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.

    “Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin që të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka kryer aksion në katër komunat veriore, ku ka mbyllur pesë objekte të komunave ilegale.

    Në cilësi të provave materiale, Policia ka thënë se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

    Në njoftim thuhet se operacioni ka përfunduar pa ndonjë incident.

    Përfundon aksioni në veri, Policia konfiskon dokumente, pajisje e municion – s’kishte ndonjë incident

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!