×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Përplasje

    Shqipe Pantina kritikon Lumir Abdixhikun, Sokol Havolli i reagon me sulm

    Reporteri
    07 Janar 2026 | 11:35

    Anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, ka pasur kritika për organizimin e brendshëm në parti, pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit që nxori LDK-në të tretën, me rënie të konsiderueshme në vota.

    Sipas saj, partia humbi orientimin duke u marrë ekskluzivisht me opozitë ndaj Kurtit dhe duke lënë anash alternativën që duhet t’u ofronte qytetarëve.

    “Pse ekziston një parti politike? A ekziston veç me i bo opozitë një partie që është në pushtet apo ekziston për shkak se ti përfaqëson diçka, i përfaqëson disa vlera, i përfaqëson disa parime. Këtu ka qenë huqja edhe e LDK-së, sepse u fokusuan shumë me i bo opozitë Kurtit, duke harruar vlerat që ata i përfaqësojnë. Në rregull është, opozitën duhesh ta bësh. Për një qytetar, një votues që nuk i përket asnjë subjekti politik dhe po pajtohet që Kurti nuk po qeverisë mirë, ai do me pa se çka i ofron t’i ndryshe, cila është alternativa? Kritika që unë e kam për subjektin tim, jashtë fushatës, kur është hera e fundit që kryetari, nënkryetarët, kryesia e kanë vizitu një nëndegë?”, ka pyetur Pantina, duke goditur direkt mungesën e punës në terren.

    Pantina ka thumbuar projektin e kryetarit Lumir Abdixhiku për reformimin e partisë. Ajo e quajti procesin të gabuar pasi, sipas saj, u tentua eliminimi i strukturave të vjetra për t’u dhënë pozita udhëheqëse personave pa përvojë politike.

    “Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të bësh reformë duke larguar strukturat e vjetra. I është dhënë hapësirë dikujt që nuk e njeh LDK-në dhe vjen nga fusha krejt tjera, duke krijuar rezistencë te anëtarësia”, u shpreh ajo në Debat Plus.

    Këto deklarata nuk i kanë pëlqyer Sokol Havollit, i cili ishte po ashtu kandidat për deputet.

    Ai e ka sulmuar  Pantinën duke e akuzuar për goditje pas shpine ndaj partisë.

    “Çka të duhen kundërshtarë politikë kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal, sonte ia dha edhe një goditje LDK-së. A je mirë? Apo kaq të ka mjaftu? Pfff…”, ka shkruar Havolli.

    Sipas rezultateve aktuale ndërsa po vazhdon numërimi edhe i një pjese të votave me postë, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 14 deputetë në Kuvend. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!