Shkëndija e parë e protestës së sotme vjen nga Kamza, ku gjimnazistët kanë bojkotuar masivisht mësimin dhe kanë dalë në protestë.
Protesta pritet të shtrihet më tej në të gjithë Tiranën, ashtu siç ndodhi edhe dy ditë më parë, kur nxënës të shkollave të mesme dhe studentë iu bashkuan tubimeve kundër qeverisë.
Bojkoti i mësimit dhe dalja e gjimnazistëve në rrugë vjen në vijim të protestave të të rinjve, të cilat ditët e fundit janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar ambientet e Kolegjit të Europës në Tiranë, të cilat u shkatërruan gjatë protestës së mbrëmshme.
Rama e cilësoi zyrën e dëmtuar si simbol të asaj që, sipas tij, ndodhi gjatë protestës. Ai akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian, duke theksuar se vendi nuk do të kthehet pas.
“Jemi gati. Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që përpiqet të shkojë lart. Janë duart e një opozite që, me paskat e të verbërve, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të kthehet kurrë”, u shpreh Rama.
Tha se, ndonëse vendi po kalon orë të vështira, Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Europës.
“Qëlloi që kjo zyrë e shkollës së gjeneratës së re europiane të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana dhe të gjithë panë. Janë orë të vështira, por Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj dhe kurrë nuk do të bjerë në ato duar që e kanë kapur për fyti Shqipërinë. Kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë”, tha ai.
Rama ka theksuar se Shqipëria nuk do të kthehet pas dhe se e ardhmja e vendit u përket studentëve dhe qytetarëve shqiptarë.