Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Thaçi në Rubikon të Klan Kosovës tha se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por sipas tij, ndërkombëtarët do të duhej t’i ndreqnin gabimet të cilat tha se ndodhën në këtë proces viteve të fundit.
“Marrëveshja finale Kosovë-Serbi është e domosdoshme. Ndërkombëtarët do duhej të ndreqnin gabimet që ndodhën në këtë proces gjatë viteve të fundit. Ata, me ose pavetëdije, dialogun mes Kosovës e Serbisë lejuan që të shndërrohet në kauza elektorale në vendet përkatëse, kjo jo që nuk solli përmirësim mes këtyre dy shteteve dhe popujve, por futi përçarje edhe në politikën dhe brenda shoqërive të të dy vendeve. Ky proces mund të ketë sukses veç kur do të ketë agjendë dhe merr kuptim të qartë perëndimor”, u shpreh Thaçi në Rubikon me Adriatik Kelmendin.
Tutje, ish-udhëheqësi i bisedimeve Kosovë-Serbi tha se deri para pak vitesh, relacionet mes Kosovës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare e kishin një kthjelltësi monumentale, por tani jo.
“Deri para pak vitesh relacionet Kosovë me bashkësinë ndërkombëtare kishin një kthjelltësi monumentale. Sot sikur po ndodhë një zvetënim moral dhe politik”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Bashkimi Evropian “sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”.
Thaçi u shpreh se roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm.
“Roli udhëheqës i Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm. Bashkimi Evropian është ende jounik për njohjen e shtetit të Kosovës, duket i përgjumur dhe i vonuar për integrimin e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë dhe Malit të Zi”.
“Mosgatishmëria e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sikur po e inkurajon Serbinë të sillet jo mirë me Kosovën”, u shpreh Thaçi.