Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas publikimit të aktvendimit të Gjykatës Supreme në lidhje me revizionin për pronën e kontestuar në lagjen “Bregu i Diellit”.  

Rama tha se vendimi dëshmon se prona në fjalë ishte e komunës së kryeqytetit dhe mbetet e tillë.

“Shpifën, bënë emisione, incizuan fshehurazi zyrtarë e drejtorë të Komunës, tentuan me çdo kusht të krijojnë një opinion publik krejtësisht të ndryshëm nga e vërteta! Por, faktet nuk ndryshojnë nga propaganda!”, tha i pari i Prishtinës, në reagimin e tij në Facebook.

Reklamë

“Gjykata Supreme ka aprovuar revizionin e Komunës së Prishtinës, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për pronën komunale në “Bregun e Diellit” dhe duke e kthyer çështjen në rigjykim. Ky vendim konfirmon se qëndrimi ynë për mbrojtjen e pronës publike kishte bazë juridike. Prona e Komunës ishte dhe mbetet e Komunës!”, shtoi Rama.

Reagimi i të parit të Prishtinës vjen pasi gazeta online Reporteri.net, të mërkurën, publikoi vendimin e plotë të Gjykatës Supreme, në lidhje me pronën në fjalë.

Aktvendimi i 22 shtatorit 2026 i Supremes, kthen në rigjykim kontestin për pronën në Breg të Diellit, duke mos i njehur banorët si pronarë të tokës së kontestuar.

Supremja ka vlerësuar se arsyetimi i një vendimi të Gjykatës së Apelit për këtë rast nuk e qartësonte mjaftueshëm bazën juridike për njohjen e pronësisë.

Reklamë

Rasti ka të bëjë me disa familje që kërkojnë t’u njihet pronësia mbi një tokë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Sipas tyre, paraardhësit e familjeve i kishin blerë këto prona dhe i kishin shfrytëzuar që nga vitet 1967 dhe 1971, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Më herët, Gjykata e Apelit kishte vendosur në favor të banorëve dhe ua kishte njohur pronësinë. Komuna e Prishtinës e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe kishte kërkuar që rasti të shqyrtohej përsëri.

Gjatë kohës sa rasti po gjykohej në Supreme, banorët dhe disa grupe të interesit, pranverën e këtij viti ushtronin presion mbi Komunën e Prishtinës për ta tërhequr revizionin, duke u grumbulluar disa herë gjoja në protesta para objektit të komunës së kryeqytetit.

Kërkonin që Komuna ta zbatonte vendimin e Apelit, pa shfrytëzuar të drejtën ligjore për ta kundërshtuar vendimin përmes revizionit në Gjykatën Supreme.

Reklamë

Disa muaj pas, sipas aktvendimit Rev.nr.124/2025, Gjykata Supreme e ka aprovuar revizionin e Komunës së Prishtinës dhe i ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 9 shtator 2024, si dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 28 tetor 2021.

Gjykata Supreme ka udhëzuar gjithashtu që Gjykata Themelore të trajtojë kërkesën për ndërhyrje në procedurë të parashtruesit Mefail Cakolli, të cilit Komuna e Prishtinës, në 2013 ia këmbeu një pjesë të pronës në Breg të Diellit, me një pronë në Parakun Nacional të Gërmisë.