Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës, ku u miratuan ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe u zgjodh Justina Shiroka-Pula presidente e Kosovës. Ligji u miratua me 88 vota, ndërsa Shiroka-Pula mori 81 vota për presidente.

Zemaj ka thënë se këto zhvillime, sipas tij, nxorën në pah “dy të vërteta politike”.

Sipas tij, e para lidhet me qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj presidentit politik.

Reklamë

“E para: për VV-në mund të jetë i pranueshëm një president politik që vjen nga PDK-ja, por jo një president politik që vjen nga LDK-ja. Vetëm nga LDK kërkohej konsensual??”, ka shkruar Zemaj.

Ndërsa si të dytën, Zemaj e ka veçuar votën e Vetëvendosjes për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“E dyta: VV votoi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pra, në praktikë, pranoi edhe vetë ekzistencën dhe juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka thënë se këto zhvillime nuk janë më vetëm pjesë e debateve politike, por, sipas tij, janë të dokumentuara përmes veprimeve dhe votimeve në Kuvend.

“Këto nuk janë më vetëm debate politike as ndarje ideologjike por janë veprime e votime të regjistruara në Kuvend”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

Reklamë

Në fund, Zemaj ka deklaruar se zhvillimet e fundit i kanë dhënë fund asaj që ai e quan “ping-pong politik VV-PDK”.

“Dje, ping-pongu politik VV – PDK mori fund. Votat treguan shumë më tepër se fjalët”, ka përfunduar Zemaj.