Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar sot me katër vota për dhe asnjë kundër, aplikacionet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

Gjatë mbledhjes, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës Ligjore në ZRRE, Ymerdin Misin, ka paraqitur propozimet për licencimin e të dy termocentraleve, duke prezantuar dokumentacionin dhe kushtet përkatëse.

Sa i përket TC Kosovës A, Misin ka bërë të ditur se licenca paraprake e KEK-ut për prodhimin e energjisë elektrike ka qenë e vlefshme deri më 4 tetor 2026, ndërsa aplikacioni për licencë të re është dorëzuar më 28 prill të këtij viti.

Reklamë

“KEK SHA është e licencuar për prodhim të energjisë elektrike të TC Kosova A…Është licencuar për prodhim të energjisë elektrike nga TC Kosova A për herë të parë më 4 tetor 2006. Licenca është modifikuar dhe vazhduar ndër vite. Ndërsa afati i fundit i vlefshmërisë ishte deri më 04 tetor 2026. Më datën 28 prill 2026, kjo ka dorëzuar aplikacionin për licencë të aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike nga TC Kosova A të protokolluar në ZRRE me numër 392/26. Aplikacioni është trajtuar si aplikim për licencë, pasi kërkesa nuk është paraqitur së paku gjashtë muaj para skadimit të licencës aktuale”, tha Misin.

Bazuar në vlerësimin e aplikacionit dhe dokumentacionin e administruar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës Ligjore në ZRRE, Ymerdin Misin i ka propozuar bordit të ZRRE-së lëshimin e licencës për Kosovën A, në përputhje me periudhën e mbuluar nga vendimi i Ministrisë së Mjedisit.

“Bazuar në vlerësimin e aplikacionit, dokumentacionin e administruar dhe vendimin e Ministrisë së Mjedisit të Planifikimit Hapësinor, për periudhën dyvjeçare, i propozon bordit që të lëshohet licenca për prodhim të energjisë elektrike për KEK TC Kosova A, për periudhën nga data 9 tetor 2026 deri më datën e lëshimit të vendimit të ministrisë, duke marrë parasysh periudhën e mbuluar nga vendimi i lëshuar nga Ministria e Mjedisit. Gjithashtu, KEK-u duhet të obligohet të dorëzojë në ZRRE çdo dokument apo vendim të institucioneve kompetente që ndryshon dokumentacionin e paraqitur gjatë aplikimit, ose mund të ndikojë në kushtet e vlefshmërisë së licencës. KEK-u, gjithashtu, obligohet të dorëzojë në ZRRE planin për rezervat e lëndëve djegëse për TC Kosova A në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në nenin 8 të licencës, në përputhje me nenin 9 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Aktin Ligjor 07/2017 për nivelin e rezervave të lëndëve djegëse për prodhim të energjisë elektrike”, tha ai.

Ndërkaq, për termocentralin Kosova B, është propozuar lëshimi i licencës për bashkëprodhimin e energjisë elektrike dhe termike për periudhën 9 tetor 2026 deri më 17 gusht 2028.

“Bazuar në vlerësimin e aplikacionit, dokumentacioni i administruar me vendimin e Ministrisë së Mjedisit për periudhën dyvjeçare, i propozohet bordit qendror që të lëshohet licenca për bashkëprodhimin e energjisë elektrike dhe termike, KEK ShA TC Kosova B për periudhën 9 tetor 2026 deri më 17 gusht 2028, duke marrë parasysh periudhën e mbuluar nga vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithashtu, KEK-u obligohet që të dorëzojë në ZRRE çdo dokument apo vendim të institucioneve kompetente, që ndryshon dokumentacionin e paraqitur gjatë aplikimit, ose mund të ndikojë në kushtet dhe vlefshmërinë e licencës. Të obligohet KEK të dorëzojë një plan për rezervat e lëndëve djegëse, edhe për Kosovën B”, tha ai.

Reklamë

Përveç aplikacioneve të KEK-ut për licencimin e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, në rendin e ditës së mbledhjes së ZRRE-së kanë qenë edhe kërkesat për autorizim për vetëkonsum të dhjetëra bizneseve dhe personave fizikë.