Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar për veprimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e komunave ilegale në veri, ku thotë se është zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë, shkruan Reporteri.net.
BE thotë se operacioni i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar nën udhëzimet e Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren.
Në reagim tutje thuhet se EULEX është vendosur menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.
“BE-ja dëshiron të përsëris se Kosova është angazhuar për de-përshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës”.
Në reagimin e tyre thuhet se ky operacion policor i Kosovës në veri mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situatë, që sipas tyre, tashmë është e paqëndrueshme
“BE do të dëshironte të përsëriste se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme. Zyrat e mbështetura nga Serbia parashikohet të adresohen dhe zgjidhen në Dialogun e lehtësuar nga BE. Presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në Dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në reagim.
Në mesnatë ka reaguar edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien i cili i bëri thirrje urgjente kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara me miqtë ndërkombëtar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin “X”, O’Brien tha se SHBA është e shqtësuar nga veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës.
” SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës.Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët. I bëjmë thirrje urgjente kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë.”, tha ai.
Përveç Ambasadës Amerikane në Prishtinë zhgënjim për veprimet e Kurtit shprehën edhe Gjermania, Franca e Britania e Madhe.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka kryer aksion në katër komunat veriore, ku ka mbyllur pesë objekte të komunave ilegale.
Në cilësi të provave materiale, Policia ka thënë se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
Në njoftim thuhet se operacioni ka përfunduar pa ndonjë incident. /Reporteri.net/.