Spektakli i parë i sporteve luftarake RZF në Maribor nuk zhgënjeu.

Pas disa përballjeve interesante, vëmendja kryesore ishte te dueli mes boksierit Djelon Januzaj dhe sllovenit Abel Pešut.

Në përballjen për titullin e kampionit të kategorisë së rëndë, IBO Continental, triumfoi Djelon Januzaj, pas dhjetë raundesh jashtëzakonisht të luftuara.

Reklamë

Meçi ishte mjaft i fortë që nga fillimi. Pas një përplasjeje kokë më kokë në raundin e parë, Januzajt iu hap një plagë në kokë, por ekipi mjekësor arriti ta trajtonte gjatë pushimit.

Në vazhdim, Januzaj mori iniciativën dhe realizoi më shumë goditje të pastra, ndonëse Pešut tregoi qëndrueshmëri të madhe dhe nuk u dorëzua deri në fund.

Pas 30 minutash përballjeje intensive, gjyqtarët vendosën njëzëri në favor të Januzajt, duke ia dorëzuar atij titullin e kampionit. Spektakli në sallën Tabor solli edhe dy tituj të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa në mesin e fituesve ishte edhe Žiga Zagoranski në K1 dhe Nejc Pečnik në full contact.

Djelon Januzaj e mbylli mbrëmjen me triumf të madh, duke fituar brezin prestigjioz IBO Continental./Indeksonline