Boksieri shqiptar, Nelson Hysa, do të ketë sonte sfidën më të madhe të karrierës së tij, teksa do të përballet me gjermanin Agit Kabayel në një duel për titullin e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda, versioni WBC.

Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dyseldorf të Gjermanisë, ku Kabayel do ta mbrojë për herë të parë titullin e kampionit të botës.

Karta e meçeve nis në orën 19:00, ndërsa hyrja e dy boksierëve në ring pritet të ndodhë rreth orës 23:00. Dueli do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën DAZN.

Reklamë

Hysa, 42-vjeçar, hyn në këtë përballje me një rekord mbresëlënës prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej të cilave i ka fituar me nokaut.

Boksieri shqiptar e siguroi këtë mundësi pas një serie të suksesshme paraqitjesh, ndërsa duelin e fundit e zhvilloi në gusht, kur e mposhti Thomas Narmon me nokaut në raundin e dytë.

Në vitin 2024, Hysa u shpall kampion evropian i WBO-së, duke arritur një prej renditjeve më të larta të një boksieri shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Fitorja ndaj Kabayelit do të kishte rëndësi historike, pasi Hysa do të bëhej boksieri i parë shqiptar që fiton titullin e kampionit botëror në kategorinë e peshave të rënda.

Një triumf i tillë do ta bënte edhe më të veçantë 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Reklamë