Kryeministri në detyrë i Izraelit, Benjamin Netanjahu, dhe udhëheqësi i opozitës, Gadi Eisenkot, pritet të zhvillojnë bisedime vendimtare të dielën për formimin e qeverisë së re.

Takimi vjen pasi Netanjahu shprehu gatishmërinë që rivali i tij politik ta marrë fillimisht postin e kryeministrit në një qeveri të unitetit kombëtar me rotacion, raporton BBC.

Zgjedhjet parlamentare të tetorit nuk i siguruan asnjërit prej dy blloqeve kryesore shumicën e nevojshme për të qeverisur.

Reklamë

Partia e qendrës Yashar, e udhëhequr nga Eisenkot, dhe tri partitë e tjera hebraike të opozitës fituan së bashku 48 ulëse, ndërsa blloku i Netanjahut siguroi 53.

Për shumicën parlamentare në Knesetin prej 120 deputetësh nevojiten të paktën 61 vota.

Eisenkotit, ish-shef i ushtrisë izraelite, i ka mbetur vetëm një javë deri në skadimin e afatit për formimin e qeverisë, më 6 dhjetor.

Në një postim në rrjetet sociale të shtunën, Netanjahu deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë përkohësisht nga drejtimi i qeverisë.

“Përgjegjësia ime si udhëheqës më detyron të lë gjithçka mënjanë, përfshirë parimin e partisë më të madhe”, deklaroi Netanjahu.

Reklamë

Ai e arsyetoi propozimin me përmasat e atij që e cilësoi si rrezik ekzistencial për Izraelin dhe mundësinë e formimit të një qeverie të paaftë për t’u përballur me të.

Eisenkot iu përgjigj menjëherë, duke e ftuar Netanjahun në negociata të mirëfillta dhe të përshpejtuara.

“Nëse Likud është gati për unitet të mirëfilltë, unë jam gati të vlerësoj seriozitetin e synimeve të tij gjatë 24 orëve të ardhshme”, deklaroi Eisenkot.

Vetëm një ditë më parë, udhëheqësi i opozitës e kishte akuzuar partinë e djathtë të Netanjahut, Likud, për zvarritjen e negociatave dhe mungesën e propozimeve konkrete.

Reklamë

Pesha e paprecedentë e partive arabe

Një zhvillim tjetër që mund të përcaktojë përbërjen e qeverisë së ardhshme është rezultati historik i partive arabe në zgjedhjet e tetorit.

Dy aleanca politike të udhëhequra nga arabët, Lista e Bashkuar Arabe dhe Lista e Përbashkët, siguruan gjithsej 19 ulëse, pas rritjes së pjesëmarrjes së votuesve arabë.

Ky rezultat u ka dhënë atyre mundësinë të përcaktojnë se kush do të qeverisë Izraelin.

Reklamë

Megjithatë, sipas BBC-së, të gjitha partitë hebraike, me përjashtim të njërës, ishin zotuar para zgjedhjeve se nuk do të bashkëpunonin me to për formimin e qeverisë.

Ndërkohë, udhëheqësi i partisë islamiste të moderuar Raam, Mansour Abbas, la të kuptohej të shtunën se ai dhe partia e tij e konsideronin Hamasin një “grup terrorist”

Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 12, Abbas konfirmoi se kishte votuar për një projektligj, bashkëpropozuar nga partia e tij, që përmbante këtë cilësim.

Sipas BBC-së, një qëndrim i tillë mund t’i hapë rrugën përfshirjes së partisë së tij në një koalicion që do ta largonte Netanjahun nga pushteti.

Reklamë

Izraeli përballë një tjetër ngërçi politik

Eisenkot tashmë ka arritur marrëveshje koalicioni me partitë Yisrael Beiteinu dhe Demokratët.

Ish-kryeministri Naftali Bennett, udhëheqës i partisë Beyachad, gjithashtu është shprehur në favor të një qeverie të unitetit kombëtar me Likudin, të drejtuar fillimisht nga Eisenkot.

Ai e ka cilësuar gatishmërinë e Netanjahut për t’iu bashkuar një qeverie të tillë si vendim të drejtë.

Asnjë parti politike në historinë e Izraelit nuk ka arritur të sigurojë e vetme shumicën absolute parlamentare. Rrjedhimisht, të gjitha qeveritë izraelite kanë qenë qeveri koalicioni.

Paaftësia e Netanjahut dhe rivalëve të tij për të bashkëpunuar kishte çuar në mbajtjen e pesë palë zgjedhjeve parlamentare ndërmjet viteve 2019 dhe 2022.